Lajme

“U vra në shtëpinë e tij nga katër sulmues të maskuar”, dalin detaje nga vrasja e djalit të Gaddafit

02/04/2026 12:42
nga:Sh R

Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-udhëheqësit libian Moammar Gaddafi, është vrarë mbrëmë në një attentat në shtëpinë e tij në qytetin Zintan, në veriperëndim të Libisë, raporton CNN.

Ai ishte 53-vjeçar. Saif al-Islam Gaddafi dikur shihej si trashëgimtari i mundshëm i babait të tij diktator – i cili u ekzekutua pasi regjimi i tij u rrëzua në kulmin e protestave të Pranverës Arabe në vitin 2011 – dhe vitet e fundit ai ishte përpjekur të rikthehej në politikën libiane.

Siç raporton CNN, katër sulmues të maskuar hynë me forcë në rezidencën e Saif al-Islam Gaddafit dhe çaktivizuan kamerat e sigurisë përpara se ta qëllonin për vdekje në një sulm “tradhtar dhe frikacak”, tha këshilltari i tij politik, Abdullah Othman, në një deklaratë në rrjetet sociale.

Nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet libiane dhe nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila prej kohësh ka kërkuar arrestimin e Gaddafit të ri me akuza për krime kundër njerëzimit.

I lindur më 25 qershor 1972 në Tripoli, kryeqytetin e Libisë, Saif al-Islam Gaddafi ishte djali i dytë i Moammar Gaddafit, i cili sundoi Libinë nga viti 1969 deri në rrëzimin dhe vdekjen e tij në 2011.

I rrjedhshëm në anglisht dhe i arsimuar jashtë vendit, përfshirë në London School of Economics, Saif al-Islam Gaddafi shihej gjerësisht si një figurë potencialisht më progresive se babai i tij, i cili sundoi Libinë për dekada me dorë të hekurt.

Por më 21 shkurt 2011, teksa protestat përhapen në të gjithë Libinë, Saif al-Islam Gaddafi mbajti një fjalim televiziv ku paralajmëroi për luftë civile, kaos dhe varfëri nëse kryengritja do të vazhdonte. Ky fjalim shënoi një ndarje të qartë nga imazhi i tij reformist dhe e vendosi publikisht në krah të shtypjes së dhunshme të demonstruesve nga regjimi.

Në qershor 2011, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për Saif al-Islam Gaddafi dhe babanë e tij për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë shtypjes së kryengritjes.