Lajme

U tall me sëmundjen e Thaçit, Çitaku reagon ndaj Gacaferit: Mjerim, turp – degradim njerëzor

02/18/2025 14:38
nga:G B

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kandidatit për deputet nga VV, Luan Gacaferi, i cili iu gëzua sëmundjes së ish presidentit Thaçi, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se në një rast të tillë s’kemi të bëjmë më me politikë po degradim njerëzor.

“Presidenti Thaçi vazhdon të mbahet në paraburgim tash e gati 5 vite, dhe disa i japin vetes të drejtën të shpërfaqin ligësi dhe urrejtje të papërmbajtur”, ka shkruar ajo.

Çitaku e ka quajtur këtë mjerim dhe turp.

Postimi i saj i plotë:

Kur një njeri gëzohet për sëmundjen e tjetrit, kur keqësimi i shëndeti të dikujt bëhet arsye për festë, aty nuk kemi të bëjmë më me politikë – por me degradim njerëzor.

Presidenti Thaçi vazhdon të mbahet në paraburgim tash e gati 5 vite, dhe disa i japin vetes të drejtën të shpërfaqin ligësi dhe urrejtje të papërmbajtur.

Dhe më e trishta? Këta nuk janë thjesht individë të rastësishëm, por njerëz të cilët përfaqësojnë një mentalitet që na ka zhytur në një pellg të helmit politik dhe shpirtëror. Kur një kandidat për deputet, një njeri që kërkon besimin e qytetarëve, bëhet simbol i një urrejtjeje të tillë, atëherë s’kemi të bëjmë më me një problem individual – por me një krizë të thellë morale.

Mjerim. Turp. Dhe një pasqyrë e qartë e rrugës ku na ka çuar kjo mendësi politike.