Sporti

U rrëzua në banesën e tij, ish-trajneri i Milanit në gjendje të rëndë

02/11/2023 09:21
nga:Mergim Rreci

Ankth për shëndetin e Alberto Zaccheronit, i shtruar në repartin e kujdesit intensiv të spitalit “Maurizio Bufalini”, në Cesena. Trajneri 69-vjeçar u rrëzua në shtëpinë e tij, në Cesenatico, në orët e vona të pasdites së të premtes, duke goditur me forcë kokën.

Zaccheroni, ish-trajneri kampion i Milanit, u gjet i shtrirë pa ndjenja në tokë me një dëmtim të rëndë në kokë dhe u transportua menjëherë me ambulancë në spital.

Prognoza është e rezervuar: ekzaminimet tomografike të kryera, siç raportohet nga “Corriere di Romagna”, kanë nxjerrë në pah një situatë serioze. Ish-trajneri i “Djallit” (fitues i Serisë A në sezonin 1998-’99), Interit, Juventusit dhe Lazios është megjithatë i vetëdijshëm.
Në momentin e rënies në shtëpi ndodheshin edhe bashkëshortja e tij, Franca, dhe Lara, partnerja e djalit të tyre, Luca.

Në Kupën e fundit të Botës, në Katar, Zaccheroni ishte në grupin e studimit teknik (TSG) të ngritur nga FIFA për të ofruar analiza të të gjitha ndeshjeve, duke rritur dhe zhvilluar kuptimin e lojës. Përvoja e tij e fundit në stol i takon periudhës dyvjeçare 2017-2019 në rolin e trajnerit të Emirateve të Bashkuara Arabe.