Lajme

U refuzuan nga PZAP, shkojnë në Supreme 6 ankesa

02/05/2026 21:12
nga:Genita C

Ka përfunduar afati për dorëzim të ankesave në Gjykatën Supreme për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Në zyrat e kësaj gjykate brenda afatit 48 orë ka shkuar 6 ankesa të cilat u refuzuan nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, koalicioni i partive PAI-PDAK-LPB, kandidatja për deputete, Emilia Rexhepi, Partia e Re Demokratike si dhe kandidati për deputet, Bekim Haxhiu që dorëzoi dy ankesa kundër vendimeve të PZAP-së, tashmë janë në pritje të shqyrtimit të ankesave që kanë dorëzuar në këtë institucion.

Tashmë Supremja ka afat prej 5 ditësh për të vendosur ndaj këtyre ankesave.

6 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet në pritje që vendimet e instancave përkatëse pas fazës së ankimimit të bëhen të plotfuqishme, që të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Se sa afër ose larg certifikimit të këtyre rezultateve varet tërësisht nga dhe epilogu që do të marrin ankesat e dorëzuara në Supreme.

“Ne nuk e dimë se çfarë lloj vendime do të nxjerrë Gjykata Supreme, sepse nëse ajo vendosë që t’i rikthejë në rivendosje vendimet e PZAP apo të urdhërojë diçka tjetër KQZ-në që të veprojë qoftë në rinumërim të disa vendvotimeve tjera ose varësisht se si ata e vlerësojnë, atëherë mund të zvarritet edhe pak procedura e certifikimit të rezultateve, por në rast se Gjykata Supreme nuk gjen paligjshmëri në kuadër të vendimmarrjes së PZAP atëherë ajo i refuzon të gjitha ankesat si të pabaza dhe i hapë rrugë që menjëherë qoftë të njëjtën ditë qoftë ditën e nesërme KQZ të mblidhet e të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve”, tha Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së fundmi ka deklaruar se po përgatitën që sa më shpejtë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, të themelohen institucionet e reja të vendit./rtk/