Lajme

U raportua për një arrestim të dhunshëm të një personi të moshuar, sqarohet Policia e Kosovës

09/10/2021 21:06
nga:M K

Policia e Kosovës ka dalë me reagim pas publikimit të një video nga disa portale ku shihej se policia po konfrontohej dhe po arrestonte një të moshuar në Vushtrri.

Në sqarimin e Policisë njoftohet se kjo e fundit deri sa ishte duke patrulluar në bulevardin “Adem Jashari” në Vushtrri me qëllim të zbatimit të planit operativ COVID-19, kishte hasur në një person i cili nuk e kishte pasur të vendosur maskën mbrojtëse dhe nga i njëjti policia ka kërkuar që ta vendos maskën mbrojtëse bazuar në vendimin për masat mbrojtëse nga pandemia.

Tutje në sqarimin e Policisë theksohet se personi në fjalë fillimisht kishte refuzuar vendosjen e maskës, e po ashtu kishte refuzuar edhe prezantimin e dokumentit identifikues të kërkuar nga zyrtarët policorë.

Policia e Kosovës ka shtuar se të njëjtit person i kanë dhënë dhe një herë urdhër verbal, por i njëjti nuk i është bindur urdhrave të policisë, duke thënë se është i sëmurë.

Sipas policisë ai nuk e kishte argumentuar këtë me ndonjë dokument mjekësor.

“Vlen të potencohet se zyrtarët policorë kishin kërkuar dhe njëherit i kishin dhënë urdhër verbal disa herë personit në fjalë, por i njëjti duke refuzuar nuk i ishte bindur urdhrave të zyrtareve policorë duke aluduar se është i sëmurë, por pa argumentuar me ndonjë dokument mjekësor”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e Policisë së Kosovës.

Pas kësaj policia ka njoftuar se personi video e të cilit ka qarkulluar sot në media është dërguar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.

Sipas policisë është rezultuar se personi në fjalë nuk r asnjë dokument se është i sëmurë dhe nga verifikimet e bëra i njëjti ka rezultuar se është i njohur për shumë vepra penale.

Ndaj tij është iniciuar rasti “Mosrespektim i urdhrit të policit (PRQP)”. Ndërsa rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.