Lajme

U prezantua rrejshëm si zyrtar i MPB-së, burgim me kusht dhe gjobë ndaj të akuzuarit

08/13/2021 16:32
nga:M K

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht dhe 550 euro gjobë të akuzuarin për mashtrim, Gani Bajgora.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Edita Canta, i akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësorë dhe 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 12 gusht 2021, i akuzuari Bajgora ka pranuar fajësinë për veprën penale që ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 tetor 2018, Gani Bajgora akuzohet se me anë të paraqitjës së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e ka mashtruar Mehmet Bratin, tani i dëmtuari, në atë mënyrë që duke iu prezantuar se kinse punon në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe se do t’i sigurojë letërnjoftimin e Kosovës për djalin e tij, i ka kërkuar 600 euro, të cilat i dëmtuari i’a ka dhënë, për çka i akuzuari i ka premtuar se pas pak do vijë një person tjetër dhe do ta kryjë këtë punë.

Siç thuhet në aktakuzë, pasi i kishte marrë të hollat, i akuzuari Bajgora kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe nuk ishte lajmëruar më.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 paragrafi 1 i KPRK-së.