Gjithçka rreth tragjedisë së Gllogjanit, ku u vranë tre persona, është ende e panjohur. Në zbardhjen e rastit s’po ndihmon as shpërblimi i premtuar prej 20 mijë euro. Hetimet po zhvillohen në disa pista, por të dyshuar s’ka ende.
Një pistë që po hetohet ka thënë se e di avokati Besnik Berisha. Sipas tij, ajo lidhet me vetëvrasjen e një të reje.
Vrasja e dy nxënësve dhe shoferit të autobusit, që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, vazhdon të mbetet mister.
Janë disa pista që po hetohen, por edhe pas 12 ditësh nga tragjedia që troniditi gjithë vendin, s’ka të dyshuar.
Natën e vrasjes, Policia dhe Prokuroria deklaruan se janë dy-tre pista që po hetohen, por pa treguar se cilat janë.
Por, mbrëmë një prej tyre, e ka zbuluar avokati Besnik Berisha.
Sipas Berishës, pretendohet se ka pasur një vetëvrasje të një të reje, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit.
Ai ka thënë se kjo është një prej pistave që po hetohet, pra “hakmarrje si rezultat i humbjes së jetës së një të reje.”
Por, Berisha ka shtuar se në këtë pistë s’ka diçka konkrete ende dhe se paralelisht me të po hetohet edhe një pistë tjetër.
“Pretendohet se ka pas një vetëvrasje të një të reje që fajësohej shoferi, dmth nga dikush është fajësuar…pastaj pse ia ka nxanë rrugën ky. Unë nuk po them që organet e kanë fajësu, por nga dikush fajësohej, tash edhe emnin s’muj me ia ngjit këtu. Fajësohej për atë akt, për atë humbje jete dhe thuhet se, së paku pista që hetohet, se dyshohet se ka pas një periudhe “grace period”, që pas një viti e tutje nga momenti tragjik t’i mbushë një vjet, unë do të merrem vesh me atë person ndryshe. Dhe kjo është një nga pistat e cila po hetohet, pra hakmarrje si rezultat i humbjes së një jete të një të reje. Por, që ta analizoj këtu, edhe në këtë pistë që po punohet paralelisht me një version tjetër, nuk ka diçka konkrete, ka akoma thashetheme”, ka thënë Berisha në një emision, raporton express.
Deklaratat e para të institucioneve pas tragjedisë
Për krimin makabër që tronditi gjithë vendin ishte deklaruar atë natë për media Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmetaj.
Ai kishte thënë se aktualisht janë dy ose tri pista në të cilat po punohet për zbardhjen e autorit të krimit.
“Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare”, ishte shprehur Mehmeti.
Mehmeti kishte thënë se janë duke u zhvilluar aksione në kërkim të të dyshuarit dhe se po intervistohen persona që mund të kenë lidhje me rastin.
“Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar por është herët të themi se kemi person/a të dyshimtë”, ka thënë ai.
Sa i përket asaj se Gllogjani duhet të hyjë në ‘shtet-rrethim’, Mehmeti kishte thënë se aktualisht në vendin e ngjarjes e kanë edhe njësinë e qenëve, por që sipas tij, në mot me shi ata nuk mund të nuhasin ose të çojnë drejt ndonjë piste.
“Akutalisht kemi njësi të mjaftueshme, por në situata të tilla si kjo me shi, qentë nuk arrijnë ta nuhasin erën e armës apo diçka tjetër”, ka thënë ai.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, kishte thënë se policia, s’kishte arsye për të besuar se ngjarja në Deçan ishte akt terrorist.
Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.
Në vend të ngjarjes, përveç policisë, kishte dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Kryeprokurori Blerim Isufaj kishte deklaruar para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj kishte thënë se shpreson që ky sulm të mos jetë terrorist.
“Një autobus që transporton nxënës me u gjuajt në një vend ku dy fëmijë të fshatit Gllogjan kanë gjetur vdekjen…Uroj që të mos jetë ndonjë sulm terrorist mirëpo uroj që këto raste të mos përsëriten kurrë në vendin tonë’, kishte deklaruar ai.
Raporti i Policisë për tragjedinë: Sulmi dyshohet se u krye me kallash
Një ditë pas vrasjes, Policia e Kosovës kishte dal me raport. Policia kishte bërë me dije se shoferi kishte vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kishin vdekur në spital.
Sipas Policisë, autobusi dyshohet se është sulmuar me kallash.
“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhej në raport.