Sporti

U nda nga Guardiola pas 30 vitesh martesë, zbulohet shkaku deri tek vendimi i Cristina Serra

01/22/2025 13:28
nga:Mergim Rreci

Lajmi që ka dominuar ditët e fundit është divorci i Pep Guardiolës dhe Cristina Serra. Pas më shumë se 30 vitesh lidhje zyrtare dhe tre fëmijëve të sjellë në jetë, tashmë të rritur, çifti ka vendosur të ndahet.

Një lajm që ka ardhur si surprizë për shumë njerëz. Lajmi ekskluziv u publikua nga Laura Fa dhe Lorena Vázquez në podkastin e tyre “Mamarazzis”, të transmetuar nga “El Periódico”.

Sipas raportimeve, arsyeja kryesore e ndarjes lidhet me rinovimin e kontratës së Pep Guardiolës me Manchester City. Trajneri katalanas, i cili drejton ekipin anglez nga “Etihad” që prej vitit 2016, ka zgjatur kontratën e tij deri në qershor 2027. Familja supozohet se kishte pritur që ai të largohej nga drejtimi i “qytetarëve’, por kjo nuk ndodhi.

Ky vendim vazhdimësie në stolin e kampionëve të Anglisë në fuqi u bë shkak për tensione, që çuan deri në ndarje në dhjetor të vitit të kaluar. Gruaja dhe fëmijët e Guardiolës donin ta kishin më tepër kryefamiljarin pranë tyre, në familje, të ishin më të qetë në jetën e përditshme, jo si deri më tani ku Manchester City ka dominuar gjithçka në mendjen e trajnerit spanjoll.

Pra, gruaja dhe fëmijët e shohin veten në plan të dytë në hierarkitë e Guardiolës, pas futbollit dhe “qytetarëve”, gjë që nuk e kanë kapërdirë dot më tej. Megjithatë, sipas “Mamarazzis”, ndarja mund të mos jetë përfundimtare, duke lënë mundësinë e një pajtimi në të ardhmen.

Pavarësisht kësaj, Cristina Serra është parë në rrugët e Barcelonës dhe, kur u pyet për ndarjen, ajo u përgjigj shkurt: “Gjithçka po shkon mirë. Unë nuk kam asgjë për të thënë. Nuk do të flas”. Si Serra, ashtu edhe Guardiola e kanë trajtuar ndarjen e tyre me shumë diskrecion, kanë shmangur bërjen e deklaratave publike.