Lajme

U mundua ta certifikoj Albin Kurtin, përkundër vendimit të KGJK-së, Belushkaj kandidati favorit për drejtor të AKK-së

12/10/2021 16:41
nga:N M

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës tashmë zyrtarisht i janë dërguar dy emra të personave që njëri nga ta mund të bëhet drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion për një mandat pesë vjeçar.

Komisioni për Legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit për votim dy kandidatë për këtë pozitë e që janë: Yll Buleshkaj dhe Visar Krasniqi

Buleshkaj sipas komisionit ka dal i pari me 33.7 pikë, ndërsa kandidati i dytë me 33.5

Njëri nga këta do të votohet e që procedura për votim në Kuvendin e Kosovës është e fshehtë.

Yll Buleshkaj, aktualisht është drejtorit i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve .

Emri i tij u bë i njohur para zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur do të vendosej për ‘fatin e Albin Kurtit’ në listën zgjedhore të Vetëvendosjes.

Në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, mbledhjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po mbaheshin me tensione të shumta.

Kjo pasi KQZ kishte kërkuar një mendim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, lidhur me kandidatët nëpër lista që ishin shpallur fajtorë për vepra penale.

KGjK i kishte rekomanduar KQZ-së, që kandidatët e dënuar me vendim të plotfuqishëm, të mos certifikoheshin, ashtu siç e kërkon edhe ligji.

Mes këtyre emrave, përveç Albulin Kurtit ishin edhe Albulena Haxhiu dhe Liburn Aliu, aktualisht këta dy të fundit drejtojnë dikastere ministrore.

Pavarësisht vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës se kandidatët që ishin të dënuar për çfarëdo vepre penale të mos certifikoheshin rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, që kryesohet nga Yll Buleshkaj ishte se ‘të certifikoheshin të gjithë kandidatët’.

“Ne i kemi udhëzua ashtu siç mendojmë që është dashtë të veprojnë, pra të certifikohen të gjithë”, pati deklaruar  Buleshkaj në një prej deklaratave në janar 2021.

Duke qenë se rekomandimi i Zyrës që udhëhiqte Buleshkaj, ishte në kundërshtim me rekomandimin e KGjK-së, partitë si PDK e LDK, e quanin si ‘shkelje të demokracisë’, rekomandimin e Zyrës së udhëhequr nga Buleshkaj.

Vet Buleshkaj, ishte justifikuar se nuk kishin pasur kohë t’i shqyrtonin të gjitha rastet.

Anëtarë të komisionit intervistues për përzgjedhje të drejtorit të AKK-së, janë deputetët e Vetëvendosjes: Adnan Rrustemi, Dimal Basha, Hydajet Hyseni dhe Artan Abrashi. Nga opozita, në këtë komision janë Hajdar Beqa i PDK-së dhe Driton Selmanaj i LDK-së.

Njoftimi i plotë i Komisionit për Legjislacion:

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në bazë të nenit 8 të Ligjit nr. 03/L-159 për Agjencinë Kundër Korrupsion, dhe në pajtim me nenin 67 të Rregullores së Kuvendit, zhvilloi proceduarat për përzgjedhjen e kandidatëve për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Dhe në mbledhjen e mbajtur më 8 dhjetor 2021, vendosi që Kuvendit t’i rekomandohen për votim kandidatët për pozitën e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, si në vijim:
1. Yll Buleshkaj – 33.7 pikë, dhe
2. Visar Krasniqi – 33.5 pikë.

Kuvendi, prej 2 (dy) kandidatëve të propozuar për drejtor të Agjencisë, do të zgjedhë njërin nga kandidatët.

Votimi i kandidatëve për drejtor të Agjencisë, bëhet me votim të fshehtë.

Mandati i drejtorit të Agjencisë është 5 (pesë) vjet.