Lajme

U mbijetoi plumbave në Gjilan, 41 vjeçari në gjendje stabile pas ndërhyrjes kirurgjike në QKUK

08/11/2025 14:28
nga:Genita C

Të dielën qyteti i Gjilanit u trondit nga një krim i trefishtë, ku i plagosur mbeti edhe një person dhe një tjetër u lëndua nga mjetet e forta.

I plagosuri Bujar Hoxha i cili fillimisht mori trajtim në Spitalin e Gjilanit, aktualisht po vazhdon trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

41-vjeçari është duke u trajtuar në repartin e Kirurgjisë Abdominale.

Drejtori i Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj, konfirmoi se gjendja e pacientit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, pas një ndërhyrje kirurgjike që pati.

“Pacienti ka pasur lëndime të lehta në kokë dhe disa gërvishtje në duar që nuk kanë kërkuar ndërhyrje. Por lëndimet në abdomen kanë qenë më serioze dhe ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjike. Tani është në gjendje stabile, është i vetëdijshëm dhe nën përcjellje të vazhdueshme. Besojmë se do të kalojë pa ndonjë komplikim”, deklaroi Fekaj.