Kryeministri Albin Kurti, aktualisht është duke e mbajtur një konferencë për media, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, lidhur me masat ekonomike.
Në pyetjen e gazetarëve se është kërkuar shkarkimi i Rozeta Hajdarit, e cila të dielën shkaktoi një aksident trafiku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, Kurti u shpreh se nuk ka informacione të tjera përveç sqarimeve që i ka dhënë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Së pari të shpreh keqardhjen time të thellë me aksidentin që është lënduar një fëmijë. Unë nuk kam të tjera informacione përveç se sqarimeve që i ka dhënë ministrja Rozeta Hajdari dhe më duhet të them se iu besoj. Ka qenë me veturën e saj, me motrën e saj me aftësi të kufizuar. Nuk ka shenja në asfalt të frenimit. Nuk ka pasur shpejtësi më tepër se ç’duhet”, tha shefi i Qeverisë.
Ai shtoi se kamerat janë në pjesën ku ka ndodhur aksidenti dhe se policia merret me rastin.
“Besoj se gjithçka do sqarohet shumë shpejt”, vijoi kreu i LVV-së, teksa nuk foli rreth “shkarkimit të mundshëm” të Hajdarit.


