Lajme

U kap duke gërmuar pa leje në Leposaviq/ Prokuroria ndalon mjetet motorike dhe hap rast penal ndaj të dyshuarit

05/22/2025 15:05
nga:Sh R

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar opinionin publik se ka ndërmarrë masa të menjëhershme lidhur me një rast të degradimit të mjedisit në komunën e Leposaviqit.

Më 20 maj 2025, në fshatin Popovcë, është ndaluar një person i dyshuar me inicialet S.V., i cili ishte kapur në flagrancë duke gërmuar një shkëmb me makineri të rëndë, pa pasur leje të nevojshme ligjore për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Me këtë rast, Prokuroria ka dhënë urdhër të përkohshëm ndalues për mjetet motorike të përfshira në aktivitetin ilegal:

Një kamion i markës Volvo 380, ngjyrë e kaltërt, me tabela vendore të regjistrimit;
Një bager Ulta 150 L, ngjyrë e verdhë, pa dokumentacion përkatës.

Ndaj të dyshuarit S.V., është hapur procedurë për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që dëmtojnë mjedisin dhe se do të vazhdojë me vendosmëri të ndjekë penalisht çdo individ apo grup që shkakton dëme ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët.