Lajme

U godit për vdekje me thikë nga burri në Itali, fqinjët flasin për 56-vjeçaren shqiptare

03/31/2023 23:16
nga:Mergim Rreci

Një grua 56 vjeçare shqiptare është vrarë me thikë nga burri i saj në Itali. Viktima Zenepe Uruci ka tentuar t’i kërkojë ndihmë djalit të saj para se të qëllohej për vdekje nga bashkëshorti i saj, Xhafer Uruci.

62-vjeçari e ka goditur atë disa herë me thikë në shtëpinë e tyre në Borgo Rivo. I pari që nxitoi në vendin e masakrës ishte djali i çiftit, i cili dëgjoi britmat e dëshpëruara të nënës së tij në telefon.

Fqinjtë e viktimës në Itali kanë folur lidhur me ngjarjen.

Për mediat italiane, një mik i 56-vjeçares thotë se Zejnepe Uruçi kishte debate të vazhdueshme me bashkëshortin e saj dhe se jetonte me frikë.

“Zenepja kishte kohë që jetonte me frikë” – thotë një mik i gruas. “Ajo shpesh preferonte të qëndronte më shumë në punë sesa në shtëpi, sepse thoshte se atje kishte një grindje të vazhdueshme. Gjente pak qetësi vetëm pas banakut, apo me fëmijët dhe nipërit që i adhuronte”.

Një shoqja e saj tregon se 56-vjeçarja nuk kishte treguar kurrë se dhunohej nga bashkëshorti, por për shenjat e dhunës thonte se ishin aksidentale. Policia kishte marrë shpesh njoftime për grindjet e tyre në familje, por 56-vjeçarja nuk kishte bërë asnjëherë ankesë në autoritetet përkatëse.

“Prej një viti dhe sidomos kohët e fundit ajo ishte shpesh nervoze. Nja dy herë, teksa rrëfehej, ajo fillonte të qante. Rreth 1 vit më parë ajo kishte dalë jashtë për disa ditë me një sy të zi. Nuk kishte treguar kurrë se dhunohej, por thoshte se ishte një aksident” – thotë shoqja e saj.

“Ajo ishte nga zemërmirë”- thotë një klient i dyqanit të peshkut. “E shihje se ajo kërkonte dhe dinte të jepte dashuri. Ende nuk dua ta besoj atë që ndodhi. Ajo dinte të buzëqeshte dhe të bënte shaka. Ishte një grua me vlerë të madhe. Ndoshta ajo ka duruar shumë. Nuk e di. Por në këtë pikë është gjithashtu e kotë të pyesësh, le të shpresojmë që drejtësia të marrë rrugën e saj dhe që ajo që ndodhi të jetë arsye për reflektim për të gjithë” – thotë ai.