Salman Rushdie, shkrimtari që u sulmua me thikë teksa po mbante fjalim në Nju Jork ka humbur shikimin në njërin sy.
Agjenti i botimeve letrare Andrew Wylie i tha të shtunën gazetës në gjuhën spanjolle El Pais se zoti Rushdie pësoi tre plagë serioze në qafë dhe 15 plagë të tjera në kraharor dhe në trup, prej të cilave humbi shikimin nga njëri sy dhe mbeti i paralizuar nga njëra dorë.
24-vjeçari Hadi Matar, nga Fairview i Nju Xhersit, është burgosur pasi nuk pranoi fajësinë për tentativën për vrasje dhe për goditjet gjatë sulmit të 12 gushtit ndaj zotit Rushdie. Zoti Matar mbahet në Institutin Chautauqua, i ndodhur në një zonë rurale 89 kilometra në jugperëndim të Buffalos, që njihet për leksionet që mbahen aty gjatë stinës së verës.
Pas sulmit, Rushdie u kurua në një spital në Pensilvani, ku u vendos për pak kohë edhe në respirator.
Kush është Salman Rushdie?
Romancieri me origjinë indiane mori famë me veprën ‘Midnight’s Children’ në 1981, ku shiti mbi një milion kopje vetëm në MB. Por libri i katërt i Rushdie, në 1988 – Vargjet Satanike, e detyroi atë të fshihej për plot nëntë vjet.
Romani surrealist, post-modern, “Vargjet Satanike”, është ndaluar në Iran që prej atij viti, pasi ngjalli shumë zemërim dhe muslismanët e konsiderojnë atë si blasfemi.
Një vit më vonë, lideri i ndjerë i Iranit Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një dekret, duke bërë thirrje për vdekjen e Rushdie. Madje është ofruar një shpërblim prej 3 milion dollarësh për këdo që vriste Rushdie.
Në vitin 2012, një fondacion fetar gjysmë zyrtar iranian e ngriti shpërblimin për Rushdie nga 2.8 milionë dollarë në 3.3 milionë dollarë.
Dhjetra njerëz vdiqën në dhunën që pasoi botimin e veprës, përfshirë edhe përkthyes të vrarë të veprës.
Shpërblimi mbi kokën e Rushdie mbetet aktiv, megjithëse qeveria e Iranit është distancuar nga dekreti i ‘Khomeinit’.
Autori, i cili ka nënshtetësi britanike dhe amerikane, është një avokat i zëshëm i lirisë së shprehjes dhe ka mbrojtur veprën e tij në disa raste.
Salman Rushdie prej vitesh kishte hequr dorë nga eskorta dhe nuk u kishte dhënë rëndësi kërcënimeve që vinin në adresë të tij.
75-vjeçari kishte njoftuar se do publikonte në 2023 librin e tij të ri. Romani i tij i fundit është «Quichotte» ndërsa në vitin 1981 ka fituar çmimin Booker Prize me romanin ‘Fëmijët e mesnatës’.