Lajme

U arrestua për vrasjen e gruas së tij, çfarë kishte deklaruar në natën kritike Naim Murseli?

12/01/2023 18:05
nga:Gazeta Blic

Naim Murseli, bashkëshorti i tashmë të ndjerës, viktimës, Liridona Murseli është arrestuar sot së bashku me një shtetas të identifikuar si Granit Plava si të dyshuar për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes.

Në anën tjetër, në natën tragjike të së mërkurës kur rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” mbeti e vrarë Liridona Murseli, Naim Murseli siç ishte raportuar nga Sinjali i kishte thënë policisë se rasti kishte nisur si grabitje.

Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, i njëjti ka deklaruar se hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.

Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri, kishte raportuar Sinjali.

Në anën tjetër, këtë version të ngjarjes e ka përsëritur edhe vjehrri i Liridonës, babai i Naimit, Shaban Murseli.

“Versioni më i saktë është që ka rezistu me dorëzu çantën e krahun, aty i ka pasë ca të holla, një shumë të konsiderueshme të të hollave. I ka gjuajt fëmijët prej kerrit edhe në gjuhën suedeze iu paska pasë thonë “ik”. Por, mesa duket është ngatërru pak edhe me rripin e sigurisë”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Megjithatë, tashmë në prangat e policisë është vënë djali i tij dhe burri i viktimës, Naim Murseli si i dyshuar për vrasje në bashkëpunim me të dyshuarin tjetër Granit Plava.

Paparaci.com ka zbuluar detaje tronditëse nga ngjarja dhe mënyra se si janë kapur të dyshuarit.