Lajme

U akuzua se shpenzoi 1 milion euro në mënyrë të jashtëligjshme për kompensimin e ekspertëve të mjekësisë ligjore, flet Dhurata Hoxha

08/10/2021 14:10
nga:Gazeta Blic

Ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha i është përgjigjur akuzave të zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu i cili tha se me dijeninë e Hoxhës janë kompensuar jashtëligjshëm për pesë vite radhazi ekspertët e mjekësisë ligjore për punën jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore.

Hoxha ka deklaruar se në fillim të vitit 2017 kishte iniciuar rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, por siç tha ajo, “me gjithë vullnetin e madh dhe dëshirën për të përmirësuar kornizën ligjore shpërbërja e kuvendit dhe koha e shkurtër na ka pamundësuar që t’i bëjmë këto ndryshime”.

“Ligji ka hyrë në fuqi në prill 2016, ndërsa unë jam emëruar në MD në korrik 2016, ku menjëherë kemi filluar me hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të cilat kanë qenë në agjendën legjislative. Deri në shpërbërjen e kuvendit që ka qenë rreth 9 muaj kemi dërguar në Kuvend 8 ligje duke përfshirë edhe Kodin Penal dhe ligje të tjera të rëndësishme”, u shpreh Hoxha.

Ajo tutje theksoi për Telegrafin se, “sa i përket rastit në fjalë ka qenë pjesë e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, të cilin rishikim e kam iniciuar unë qysh në fillim tëe vitit 2017, dhe pastaj ministrat tjerë kanë vazhduar këtë nismë”.

“Kanë qenë edhe tre ministra pas meje duke përfshirë ministren aktuale dhe të gjithë ata paskan pasur mosveprim pra”, u shpreh Hoxha.

Ajo tutje theksoi se shpreson që ministrat që “kanë ardhur pas meje kanë arritur t’i përmirësojnë këto zbrazëtira ligjore të cilat janë evidentuar dhe po vazhdojnë të evidentohen”.

“Pra kanë qenë edhe tre ministra pas meje duke përfshirë Ministren aktuale, dhe të gjithë ata paskan pasur mosveprim atëherë, mirëpo vetëm emrin tim e paskan përmendur”, tha ajo.

Ndryshe, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu gjatë konferencës për medie ka thënë se ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar për punën shtesë, punën jashtë orarit dhe pjesëmarrjen e mjekëve ligjor në seanca gjyqësore në mënyrë të jashtëligjshme.

Sallahu tha se ata janë kompensuar në bazë të udhëzimit administrativ, i cili është bërë në bazë të ligjit që nuk është në fuqi që nga viti 2016.

Ai shtoi se, pavarësisht që i është tërhequr vërejtja nga Këshilli Prokurorial, ish-ministrja Dhurata Hoxha e ka injoruar letrën e tyre dhe nuk ka marrë asnjë hap për mbrojtjen e parasë publike.

“Për shkak të këtij mos-veprimi, ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar jashtëligjshëm në vlerë afër 1 milionë euro për gjatë 5 viteve të fundit, [përmes një udhëzimi administrativ të bazuar në ligjin e vitit 2021, i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi”, theksoi tutje Sallahu.

Zëvendësministri i Drejtësisë, tha po ashtu se ka pasur raste te favorizimeve, ku disa ekspertë të mjekësisë ligjore janë thirrur më shpesh në seanca dhe kanë përfituar më shumë mjete financiare se disa të tjerë.

Zëvendësministri i Drejtësisë: Për 5 vite ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm në vlerë 1 milion euro