Një zyrtar i Ministrisë turke të Mbrojtjes tha se po shqyrtohet opsioni që Turqia të kryejë një operacion tokësor në Siri pasi Ankaraja zbuloi që dy sulmuesit që e vendosën bombën afër ndërtesave qeveritare kishin ardhur nga Siria, raporton Reuters.
“Qëllimi ynë i vetëm është të eliminojmë organizatat terroriste që përbëjnë një kërcënim për Turqinë. Një operacion tokësor është një nga opsionet për të eliminuar këtë kërcënim, por nuk është opsioni i vetëm për ne,” tha zyrtari.
Turqia ka dyfishuar operacionet e saj kundër Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) pasi ajo mori përgjegjësinë për sulmin me bombë në Ankara, duke kryer sulme ajrore në Irakun verior.
Zyrtarët turq thanë se çdo infrastrukturë dhe objekt energjetik në Irak dhe Siri të kontrolluara nga PKK, si dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), ishin objektiva legjitime ushtarake.
“PKK dhe YPG janë e njëjta organizatë terroriste, ato janë objektivi ynë legjitim kudo. Turqia kreu operacione kurdo dhe kudo që të ishte e nevojshme në të kaluarën dhe këto operacione do të vazhdojnë nëse nevojiten përsëri,” tha zyrtari i ministrisë së mbrojtjes.
“Këto operacione po kryhen nën të drejtat e vetëmbrojtjes që rrjedhin nga ligji ndërkombëtar për të eliminuar sulmet terroriste në territorin turk dhe për të garantuar sigurinë kufitare.”


