Policia e Turqisë ka ndaluar më shumë se 300 persona të dyshuar si anëtarë të ISIS-it të martën, një ditë pasi një përleshje me armë në jug të Stambollit la të vdekur tre policë dhe gjashtë militantë.
Aksionet kundër celulave të dyshuara të ISIS-it u zhvilluan mes paralajmërimeve të shtuara të autoriteteve për rrezik të mundshëm sulmesh gjatë festave të Vitit të Ri dhe shqetësimeve se grupi xhihadist po rikthehet në skenë në nivel global, raporton “Financial Times”.
Sipas policisë australiane, të shtënat këtë muaj në Bondi Beach, ku humbën jetën 15 persona, ishin të frymëzuara nga ISIS-i. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara javën e kaluar kryen disa sulme me raketa ndaj kampeve të dyshuara të ISIS-it në Nigeri, ku presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se xhihadistët kanë masakruar të krishterë.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, njoftoi se 357 të dyshuar për ISIS u arrestuan pas bastisjeve të njëkohshme në 21 provinca të vendit, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë. Zyra e kryeprokurorit të Stambollit bëri të ditur se disa prej të ndaluarve kishin lidhje me militantët që një ditë më parë hapën zjarr ndaj policisë nga një strehë e ISIS-it në Yalova, në jug të Stambollit.
Autoritetet shtuan se disa të tjerë dyshohen se kanë mbledhur fonde nën petkun e një bamirësie fetare dhe i kanë kanalizuar ato drejt rrjeteve të lidhura me ISIS-in në Siri.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të hënën: “Do të vazhdojmë luftën kundër kriminelëve gjakatarë që kërcënojnë paqen e kombit tonë dhe sigurinë e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve, në mënyrë të vendosur, shumëplanëshe dhe pa kompromis”.


