Lajme

Turqia arreston 189 të dyshuar të Shtetit Islamik

12/30/2023 17:57
nga:Sh R

Policia turke arrestoi të shtunën 189 persona të dyshuar se i përkisnin grupit militant të Shtetit Islamik në bastisje të gjera në 37 qytete dhe provinca.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya e bëri njoftimin në një postim në rrjetet sociale të shtunën. Ai theksoi se policia turke nuk “toleron asnjë terrorist”, raporton Deutche Welle në gjuhën angleze.

Një ditë më parë, Turqia tha se pengoi planet e Shtetit Islamik për të sulmuar kishat dhe sinagogat.

Bastisjet vijnë pasi zyrtarët turq njoftuan arrestimin e 32 anëtarëve të dyshuar të Shtetit Islamik. Policia tha se ata dyshohet se ishin të përfshirë në planifikimin e një sulmi ndaj ambasadës irakiane.

Grupi militant Shteti Islamik mori përgjegjësinë në vitin 2017 për një sulm vdekjeprurës në një klub nate në Stamboll në natën e Vitit të Ri, i cili la 39 të vrarë.