Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar për deklaratat e Kurtit e Sveçlës për protestën e njësisë më elitare të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se të dy ata kanë folur për meritat e tyre dhe të Qeverisë, deri kur kanë përmendur kushtet e policëve, sikur të flisnin për punonjës të administratës publike dhe jo për ata që jeta u ekspozohet kërcënimit dhe rrezikut maksimal
Ai ka shtuar se pa fije sinqeriteti Kurti e Sveçla ua përmendin pagën mesatare atyre që protestuan, duke mos përmendur sakrificën e tyre.
Tahiri ka shtuar se atyre kur iu duhen pamjet e sukseseve të intervenimeve, dalin me foto e me pamje, ndërsa kur ata kanë një hall, dalin me shifra për të krijuar përshtypje të rrejshme te publiku.
Postimi i tij i plotë:
Paska reaguar edhe kryeministri e edhe ministri ndaj protestës së FIT-it, me të vetmin qëllim delegjitimimin e kërkesave të tyre. Mos harroni se Albini edhe Xhelali gjerë e gjatë, kanë ligjëruar për meritat e tyre dhe të Qeverisë, deri aty ku ka përmendur përmirësimet e kushteve të punës së policëve, sikur të bëhej fjalë për punonjës të administratës publike dhe jo për njerëz, që jeta e të cilëve shpesh u ekspozohet kërcënimit dhe rrezikut maksimal. Diçka që pas ngjarjeve në veri e dinë edhe fëmijët parashkollorë.
Pa fije sinqeriteti Kurti e Sveçla ua përmendin pagën mesatare atyre që protestuan, që sipas tyre, për këtë vit paska arritur shifrën 2200 euro! Kryeministri e ministri nuk tregojnë se si ka ardhur deri te kjo shumë, pra nuk përmendin fare sakrificën e tyre natë e ditë në veri, në kohë me shi, e me stuhi.
Pra, kur i duhen pamjet e sukseseve të intervenimeve, dalin me foto e me pamje. Por, kur për një moment e kanë një hall, të njëjtit për të njejtit policë, dalin me një shifër, për të krijuar përshtypjen e rrejshme te qytetarët dhe publiku, që gjoja këta policë kanë pagë relativisht të mirë.
Për besë, turp!


