Cult

Turneu ‘Shpat Deda, Muzikë n’Teatër’ vjen në gjashtë qytete të Kosovës

11/29/2022 18:08
nga:G C

Këtë dhjetor, kantautori Prishtinas Shpat Deda vjen me një turne koncertesh në një format krejtësisht të ri për ta sjellë poezinë e gërshetuar me një udhëtim të paharrueshëm muzikor në teatrot e gjashtë qytete Kosovare.

Aranzhuar enkas për këtë program mes fizarmonikës, violinës, kitarave dhe zërit, këngët e Dedës, me fokus në albumin e tij të fundit, marrin jetë të re në një spektakël muzikor të karakterizuar nga udhëtimi poetik nëpër fjalë e tinguj shoqëruar në skenë edhe nga Visar Kuçi dhe Tomor Kuçi.

“Ka kohë që e kam ëndërr ta organizoj një mini-turne të tillë për publikun e dashur Kosovar dhe ta performoj këtë program në skenat e teatrove anekënd Kosovës.” tha Deda, i cili shton se turneun ‘Muzikë n’Teatër’ e ka për qëllim ta zgjerojë edhe në qytete të tjera Kosovare në të ardhmen e afërt.

“Dëshira ime është që ky turne mos të përfundojë me kaq, por ta vazhdojë udhëtimin edhe në qytete më të vogla të Kosovës dhe të freskohen sallat e teatrove apo shtëpitë e kulturës në këto qytete përmes një programi të mirëfilltë muzikor. Megjithatë, për momentin jemi të fokusuar në fazën e parë të turneut dhe në gjashtë qytetet që do t’i vizitojmë këtë dhjetor.“ tha tutje Deda.

Programi i turneut e ka në fokus repertoarin e këngëve nga albumi i fundit i kantautorit i cili u lansua në të gjitha kanalet digjitale ne fund të vitit 2020, duke mos lënë anash edhe disa nga këngët e tij më të dashura për publikun ndër vite.

“Duhet cekur se ky turne është edhe promovim i albumit tim të fundit ‘Rrugës’ të cilin nuk pata mundësi ta shoqëroja me performansa live në kohën e publikimit të tij për shkak të kufizimeve të pandemisë. Jam shumë i lumtur që më në fund do ta kem mundësinë ta performoj këtë album për publikun e gjerë përmes një programi shumë të veçantë si pjesë e këtij turneu.” shtoi Deda.

Turneu ‘Muzikë n’Teatër’ do t’i vizitojë gjashtë qytete Kosovare në dy javët e para të dhjetorit sipas datave të mëposhtme:

5 DHJETOR – Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë), Prishtinë

6 DHJETOR – Teatri Adriana, Ferizaj

12 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Hadi Shehu’, Gjakovë

13 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Muharrem Qena’, Mitrovicë

14 DHJETOR- Teatri i Qytetit, Vushtrri

16 DHJETOR – Teatri i Qytetit, Gjilan.