Lajme

Turizmi në Shqipëri: Mangësi nga brenda apo sulme nga jashtë

07/21/2024 12:35
nga:G B

Bumi turistik që përjetoi Shqipëria një vit më parë, e rriti pritshmërinë që këtë sezon të ketë edhe më shumë turistë.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qeveria shqiptare, nga janari i këtij viti deri në qershor, këtë vend e vizituan 4.5 milionë turistë, ose 34 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, ajo që tërhoqi vëmendjen kohëve të fundit, ishte publikimi i disa fotografive dhe videove në rrjetet sociale, që, sipas atyre që i shpërndanë, ishin të plazheve shqiptare me shumë pak njerëz ose të boshatisura.

Për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, publikimi i këtyre imazheve është “një sulm i organizuar” për të dëmtuar turizmin shqiptar.

Por, ekspertë të turizmit nuk e shohin ashtu situatën. Sipas tyre, ka disa mangësi që lidhen me shërbimin dhe infrastrukturën, si dhe me rritjen e çmimeve.

Sulm apo dështim?

Në një adresim më 17 korrik, Rama shprehu bindjen se bëhet fjalë për një sulm të organizuar, me qëllim të dëmtimit të turizmit shqiptar.

“Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim e që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Sulmi vjen nga disa anë”, tha Rama, pa specifikuar më shumë.

“Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Ka shumë profile false që përdoren për këtë sulm”, shtoi ai.

Për ekspertin e turizmit në Shqipëri, Leonard Maçi, kjo deklaratë e Ramës është përpjekje për të justifikuar dështimin për të tërhequr turistë.

“Unë do të bëja një krahasim: nëse një njeri ka probleme me një nga organet e trupit, atëherë preken edhe organet e tjera. Pra, kjo vjen nga brenda dhe jo nga jashtë. Ajo që dua të them, është se nuk ka asnjë sulm apo sabotim të huaj”, thotë Maçi për Radion Evropa e Lirë.

“Këto janë teori konspirative për të justifikuar veten, mungesën e kontrolleve sa i takon rritjes abuzive të çmimeve apo mosmarrjes së masave për të përmirësuar shërbimin dhe infrastrukturën”, shton ai.

Sipas tij, një nga arsyet përse turistët zgjodhën Shqipërinë vitin e kaluar, ishin dhe çmimet e lira, që këtë vit janë rritur.

“Çmimet, sidomos në jug, janë rritur në mënyrë joproporcionale dhe të pashembullt. Dhe, pritshmëria ndaj çmimeve të ulëta ka rënë bashkë me reklamën që i është bërë këtij fenomeni. Pra, kemi efektin bumerang. Duhen masa paraprake para se të bësh turizëm, duhet të kesh siguruar njëherë asete dhe produkte, e më pas t’i shesësh”, thotë Maçi.

Problemin me rritjen e çmimeve, kryesisht në jug të Shqipërisë, e pranoi edhe Rama, pak ditë më parë.

Duke iu drejtuar kryebashkiakëve të Vlorës dhe Sarandës, ku raportohen çmime të larta krahasuar me një vit më parë, Rama kërkoi nga ta që të bisedojnë me operatorët turistikë për këtë problematikë.

“Duhet t’u thuhet se kjo është jo vetëm e padrejtë, por është strategjikisht vetëvrasje për vetë ata”, tha Rama në takimin me kryebashkiakët.

Maçi, në anën tjetër, shton se është e patolerueshme që pikërisht në kulmin e sezonit turistik në Shqipëri, kryhen punime në infrastrukturë, të cilat, siç thotë, shkaktojnë trafik dhe ndotje.

Kjo problematikë, sipas tij, është një tjetër arsye që sivjet numri i turistëve do të jetë më i ulët.

Asaj i shton edhe, siç thotë, mungesën e pjesëmarrjes së Shqipërisë me atë që ofron, në panairet ndërkombëtare.

Rezerva për shifrat e turistëve

Besnik Vathi, një operator turistik në Shqipëri, thotë se ka rezerva në lidhje me shifrat që i deklarojnë institucionet shqiptare për numrin e turistëve.

“Ne i raportojmë hyrjet në kufi, e që nuk janë të gjithë turistë”, thotë ai.

“Në mesin e tyre janë edhe turistë, edhe ata që quhen vizitorë të së njëjtës ditë… E, për shkak të rëndësisë që po merr Aeroporti i Rinasit për rajonin, janë me qindra mijëra udhëtarë nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut që e përdorin atë, për të kapur fluturime direkte, pasi krahasuar me vendet e tyre, janë 3-4 herë më lirë”, thotë Vathi.

Sipas tij, duhet parë nëse ata që hyjnë nga një kufi tokësor, dalin brenda orësh apo qëndrojnë.

“Nëse nuk raportojmë në këtë mënyrë, vihet në dyshim saktësia sa u përket shifrave të turizmit”, thotë Vathi.

“Nëse u referohemi hyrjeve nga Kosova”, thotë ai, asnjëherë nuk është saktësuar se sa prej tyre janë pushues në Shqipëri, e sa e shfrytëzojnë territorin e Shqipërisë për të kaluar në Mal të Zi.

“Mund të jenë edhe qytetarë me pasaporta zvicerane apo gjermane, që mund të futen në Shqipëri nga kufiri me Malin e Zi, të kalojnë dhe të shkojnë në Kosovë, ose anasjelltas. Dhe ne, me këtë mënyrë matjeje, i llogarisim si turistë të huaj, e në fakt duhen klasifikuar si vizitorë transit”, thotë Vathi.

Më pak a më shumë kosovarë?

Kryeministri shqiptar, në takimin me kryebashkiakët, tha po ashtu se pretendimi i disa ekspertëve të turizmit se shtetasit e Kosovës e kanë “braktisur” Shqipërinë, është i pabazë.

“Nga janari në qershor janë 1.7 milion hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25 për qind më shumë se vjet”, tha Rama.

Por, edhe për këtë çështje, ekspertët ndajnë një mendim tjetër.

“Institucionet shtetërore thonë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë ardhur 1.7 milion turistë, ndërkohë që popullsia e Kosovës është 1.6 milion banorë. Nuk mund t’i llogarisësh si turistë, sepse duhen ndarë udhëtarë, turistë, vizitorë…”, thotë Maçi.

Vathi, në anën tjetër, pret të ketë rritje të numrit të kosovarëve që do të hyjnë në Shqipëri, por turistët, sipas tij, do të mbeten në nivelet e një viti më parë ose më pak.

“Numri i kosovarëve, nëse do t’i qëndrojmë kësaj metodologjie, do të ketë rritje, për shkak se liberalizmi i vizave [për Kosovën] dhe çmimet e ulëta që ofron Aeroporti i Rinasit përmes linjave ‘low cost’, u japin atyre mundësi të kalojnë përmes territorit tonë, për të shkuar në destinacionet që zgjedhin”, thotë Vathi.

“Pra, do të kemi më shumë udhëtarë kosovarë, por nuk mund ta them të njëjtën gjë për numrin e turistëve kosovarë”, thekson ai.

Gjatë vitit 2023, Shqipëria regjistroi një numër rekord turistësh – prej 10.1 milionësh.

Për një raportim të Radios Evropa e Lirë më 23 qershor, Mehdi Olluri nga Lipjani i Kosovës, që kishte zgjedhur Shëngjinin e Shqipërisë për të pushuar, tha se krahasuar me një vit më parë, çmimet janë më të larta.

“Ka rritje të [çmimeve të] ushqimeve në dyqane, në restorante, e gjithashtu edhe banesa është më e shtrenjtë se vjet”, tha ai./REL