Lajme

“Turizmi dikur sufllaqe, shalqi e djathë,” Rama: Do presim vizitorë që të shpenzojnë si në Maldive

09/05/2023 08:19
nga:G B

Shqipëria këtë vit ka regjistruar shifra rekord sa i përket turizmit dhe pikërisht me rezultatet në këtë sektor e nisi fjalën kryesocialisti Edi Rama, dje në Asamblenë Kombëtare të të majtëve.

Shifrat këtë vit ishin të larta, por kryesisht turistët që vizituan vendin ishin ata që udhëtojnë me buxhet të kufizuar. Dhe, kjo për kreun e qeverisë, duhet të ndryshojë në vitet në vijim.

Rama paralajmëroi se do të ketë ndryshime të ligjit për investitorët strategjikë. Teksa pohoi se kuadri ekzistues ligjor e ka kryer detyrën e tij, kryeministri shtoi se Shqipëria nuk është më ajo që ishte në sytë e të huajve.

“Shqipëria është ngritur në një nivel të ri. Të kuptojmë arritjet e sotme, duhet të jenë për në një stimul që të arrimë më shumë nesër…Ishim një vend ku turizmi ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artopalantë me muzikë dasmash. Vapë dhe mungesë uji, të padurueshme.”

Por tashmë, shtoi kryeministri, “steka duhet ngritur menjëherë”.

Rama u shpreh se fokusi i qeverisë tashmë është që në vend të vijnë edhe ata turistë që mund të shpenzojnë njëlloj siç do të shpenzonin në Maldive.

“…të zotërojë një ofertë optimale, që bazohet në larminë e zgjedhjeve, të tërheqë jo vetëm turistin italian, por edhe atë të shtresës më të lartë, që do të vijë këtu për të shpenzuar njëlloj siç shpenzon në Maldive.”