Sporti

Tuchel: Leverkusen dhe Alonso kanë bërë mirë, por ne jemi gati për këtë “betejë”

02/09/2024 21:53
nga:E K

Sfidë me “aromë” titulli në Gjermani.

Bayer Leverkusen pret në “Bay Arena” Bayern Munich në ndeshjen e javës së 21-të, por më shumë se 90 minuta, kjo është një përballje që mund të vendosë shumë në Bundesliga.

“Aspirinat” kryesojnë me 52 pikë, dy më shumë se bavarezët, teksa në prag të kësaj sfide, trajneri i Bayern Munich, Tomas Tuchel theksoi se skuadra e tij është gati dhe ndaj Leverkusen do të shkojnë vetëm për tri pikët e plota.

“Kjo ndeshje është një reklamë për futbollin. Kemi përballë një skuadër shumë cilësore, që ka bërë mirë dhe kryeson kampionatin, por ne jemi gati për këtë betejë. Leverkusen ka shumë cilësi, ka një mbrojtje të hekurt dhe një sulm që di të godas në çdo moment. Ne jemi përgatitur, atmosfera është pozitive. Por, për të fituar një ndeshje si kjo duhet një përqendrim maksimal dhe ne të gjithë duam të tregojmë vlerat tona. Kemi objektiva për të realizuar dhe një prej tyre është titulli kampion. Kemi bërë disa gabime, por jemi në rrugën e duhur, kemi ngjitur shkallë dhe kemi ende edhe një për të ngjitur” – tha fillimisht Tuchel.

Të shtunën, Tuchel do të gjejë përballë një prej trajnerëve që ka tërhequr shumë vëmendje si Xabi Alonso, me gjermanin që e vlerëson në maksimum spanjollin e Bayer Leverkusen.

“Ai është një themel i vërtet. Leverkusen është në krye për meritë të tij dhe meritat e tij janë të dukshme. Unë vlerësoj dhe e respektoj”- u shpreh kreu i stolit të bavarezëve.

Në fund, Tuchel foli edhe për situatën e skuadrës së tij, sa u përket dëmtimeve, por edhe rikuperimeve.

“Në këtë sezon ne jemi mësuar të luajmë me disa mungesa për fat të keq. Upamecano dhe Kimich janë gati. Formacionin e kam në mendje, por do të presim deri në çastet e fundit për të parë totalisht gjendjen e skuadrës” – përfundoi Tuchel.

Bayer Leverkusen- Bayern Munich do të luhet të shtunën duke nisur nga ora 18:30 në “Bay Arena”.