Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, tërhoqi një turmë rekord në tubimin e tij në Los Angeles të shtunën, që përfshinte edhe performanca muzikore nga Joan Baez dhe Neil Young, të cilët inkurajuan turmën që ta “rikthejnë Amerikën”.
Turneu i Sanders “Duke Luftuar Oligarkinë: Ku Shkojmë Që Këtu e Tutje” ka tërhequr turma masive. I ndihmuar nga përfaqësuesja progresive e New Yorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, ekipi vendosi një rekord në Tempe, Arizona, për tubimin më të madh politik ndonjëherë në atë shtet tre javë më parë. Në Denver, Colorado, më shumë se 34,000 njerëz morën pjesë – një rekord në karrierë për 83-vjeçarin Sanders. E shtuna në Los Angeles solli një tjetër rekord: të paktën 36,000 njerëz mbushën një park në qendër të qytetit, raporton The Guardian.
Një sërë aktesh muzikore hapën ngjarjen me energji të lartë, përfshirë grupin indie rock The Red Pears, Maggie Rogers, Indigo de Souza, dhe legjendat Baez dhe Young.
Në një ditë perfekte në LA, me një fllad të lehtë dhe qiell të kaltër, Young, i veshur i tëri në të zeza, performoi për turmën para se të prezantonte Ocasio-Cortez, e cila u prit me duartrokitje të zjarrta që zakonisht i rezervohen një ylli rocku.
Ocasio-Cortez, 35 vjeçe, i tha turmës në Gloria Molina Grand Park se “pushteti, lakmia dhe korrupsioni e po marrin vendin tonë nën kontroll si kurrë më parë”. Ajo përmendi disa ligjvënës nga Kalifornia që kanë mbështetur politikat e fundit të Trumpit, përfshirë përfaqësuesin e Bakersfield, David Valadao, dhe përfaqësuesen Young Kim të Qarkut Orange.
Më pas Sanders doli në skenë. “Ne po jetojmë në një moment kur partia Republikane në një masë të madhe është kthyer në një kult të individit, duke iu bindur çdo dëshire të Trumpit”, i tha ai turmës, duke shtuar se administrata Trump tani “po planifikon si t’u japë 1.1 trilionë dollarë në ulje taksash të pasurve”.
Kritika e politikanit ndaj administratës – dhe ndikimit korruptues të parasë së madhe dhe miliarderëve në politikën amerikane – zgjati më shumë se 40 minuta.