Lajme

Tubimet me mërgatën/ Opozita kritikon Kurtin e Gërvallën: Ambasadat janë bërë zyre të VV-së, po keqpërdoren nga Qeveria

11/12/2024 09:09
nga:G B

Lëvizja Vetëvendosje po mban takime të shumta me mërgatën në diasporë.

Tubimet me kryeministrin Albin Kurti, njëherësh kryetar i kësaj partie dhe ministren e punëve të jashtme, Donika Gërvalla, po thirren përmes ambasadave të Kosovës në shtete të Evropës.

Për këtë, opozita ka kritikuar Kurtin e Gërvallën, duke thënë se ambasadat janë bërë si zyre të VV-së.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, tha për Gazeta Blic se një gjë e tillë nuk është dashur të ndodhë.

“U pa që nga fillimi që ambasadat janë bërë zyre të partisë në pushtet sepse po mbajnë takime partiake, pasi deri më tash nuk kanë lobuar për Kosovën askush nga ambasadat. Po shihet këto ditë i pamë dhe kryeministrin dhe ministren e punëve të jashtme duke mbajtur takime nëpër ambasada që nuk ishte dashur të ndodhë kjo”, ka theksuar ajo.


Krasniqi ka potencuar se në ditët në vijim do të merren me këtë çështje, në seancat e Kuvendit.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, për Gazeta Blic ka thënë se ambasadat po keqpërdoren rëndë nga Qeveria.

“Unë mendoj që është keqpërdorim i Qeverisë së Kosovës dhe mund të them që Qeverinë e Kosovës e kanë shndërruar në qeveri partiake, në Vetëvendosje. Përdorimi i ambasadave për votë elektorale është keqpërdorim i rëndë dhe mendoj që për këto 4 vite ne kemi parë në vazhdimësi që janë përdorur ambasadat tona në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka vlerësuar ai.

Se pse po bën Kurti fushatë më shumë në mërgatë, Lekaj thotë se kjo pasi e ka bërë që në Kosovë ka dështuar dhe qytetarët nuk po e përkrahin, andaj po tenton t’i mashtrojë mërgimtarët.

“E ka parë që qytetarët brenda nuk e kanë Vetëvendosje aktualitet i tyre sepse ka dështuar në çdo aspekt, prandaj dëshiron që t’i mashtrojë prapë mërgimtarët tanë por besoj dhe jam i bindur që edhe mërgata jonë ka filluar të mendojë ndryshe dhe nuk do ta përkrahë Kurtin për kryeministër të Kosovës”, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/