Sporti

“T’u kërkojmë falje tifozëve, ishim pa identitet”, shpërthen lideri i Milanit

01/18/2023 23:28
nga:Mergim Rreci

Milani ndodhet në krizë lojë dhe rezultatesh. Kuqezinjtë bënë shumë gabime në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Interit. Loja mungoi dhe humbja 3-0 ishte mëse e merituar për kampionët në fuqi të Serie A.

Simon Kjaer, një nga liderat e skuadrës së Stefano Piolit, mori guximin për të folur pas finales duke u kërkuar falje tifozëve për performancën negative në derbi.

“E nisëm keq, pastaj u bë e vështirë. Ata janë të aftë në atë që bëjnë, ndërsa ne sonte nuk zhvilluam performancën e duhur. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve!

Duhet të analizojmë këtë ndeshje, dhe të rinisemi më pas. Nuk kemi kohë të ulim kokën, por kjo humbje të dhemb shumë. Diskutimi i të rinjve u mbyll përfundimisht.

Duhet të rritemi dhe të marrim përgjegjësi. Ishim pa identitet, duhet të nxjerrim mësime nga kjo humbje. Janë shumë aspekte loje ku duhet të përmirësohemi”, u shpreh mbrojtësi danez.