Barcelona raportohet se po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të Julian Alvarez, teksa e ardhmja e Robert Lewandowskit në “Camp Nou” mbetet e paqartë.
Kontrata e sulmuesit polak po shkon drejt fundit dhe sipas medieve të huaja, tashmë kanë nisur negociatat me klubin amerikan Chicago Fire, gjë që ka shtyrë drejtuesit e Barçës të mendojnë për alternativa afatgjata në repartin ofensiv.
Një nga emrat më të pëlqyer është ylli i Atletico Madridit, Julian Alvarez, i cili po kalon një sezon shumë të mirë në La Liga. Lidhur me këtë çështje ka folur edhe Enric Masip, këshilltar i presidentit të Barcelonës, Joan Laporta.
“Idealisht po, ai do të ishte një zëvendësim shumë i mirë për Lewandowskin. Është një lojtar fantastik, me cilësi të jashtëzakonshme dhe po zhvillon një sezon të shkëlqyer te Atletico. Barça do të dinte ta menaxhonte një situatë të tillë nëse do të paraqitej, për këtë nuk kam asnjë dyshim,” ka deklaruar Masip.
Barcelona pritet të hyjë në një fazë tranzicioni në vijën e sulmit dhe emri i Alvarez shihet si një opsion ideal për të udhëhequr repartin ofensiv në vitet e ardhshme.


