Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha para trupave amerikane të premten se Irani ka qenë “i zorshëm” në bisedimet bërthamore dhe sugjeroi se futja e frikës në Teheran mund të jetë e nevojshme për ta zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë paqësore.
“Ata kanë qenë të zorshëm për të bërë marrëveshje”, tha Trumpi për iranianët para disa ushtarëve në bazën “Fort Bragg” në Karolinën e Veriut, pasi zyrtarët amerikanë thanë se do të dërgonin një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nganjëherë duhet të kesh frikë. Kjo është e vetmja gjë që do të përkujdeset për situatën” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Më herët, ai tha se dislokimi i aeroplanmbajtëses më të madhe në botë po bëhej për arsye që “do ta kemi atë të gatshme” në rast se bisedimet me Iranin dështojnë.
Omani i lehtësoi bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara javën e kaluar. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se këto bisedime i kanë mundësuar Teheranit që ta vlerësojnë seriozitetin e Uashingtonit dhe shfaqën konsensus të mjaftueshëm që diplomacia të vazhdojë.
Data dhe vendi i rundit të ardhshëm të bisedimeve ShBA – Iran nuk është njoftuar ende.


