Lajme

Trump vendosi tarifa prej 37% për Serbinë. Vuçiq: Është e çuditshme për shumë arsye

5 ditë më parë
nga:Sh R

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump dhe partnerët amerikanë për tarifat e reja doganore që janë vendosur në Serbi.

Në një deklaratë për gazetarët në Sofje, ku mbërriti për të marrë pjesë në takimin e krerëve të shteteve të procesit Aqaba, ai paralajmëroi se tarifat e Trump për Serbinë llogariteshin “sipas një formule të çuditshme”. “Kemi numra të ndryshëm”, theksoi ai.

Ai shprehu besimin se kjo çështje do të zgjidhet brenda tre muajve të ardhshëm, ndoshta edhe më shpejt.

“Është e çuditshme për shumë arsye, por që njerëzit të mos shqetësohen, do ta zgjidhim, do të kujdesemi”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave reciproke për vendet në mbarë botën, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij vendimi, Serbisë i janë vendosur tarifa prej 37 për qind.

“Dhe për këtë ne do të shikojmë se si ta zgjidhim. Dhe jam i bindur se në të ardhmen, ndoshta më të shkurtër, por në tre muajt e ardhshëm, do ta zgjidhim këtë problem. Nuk mund të garantoj, por jam i sigurt dhe besoj se do ta zgjidhim këtë çështje”, tha Vuçiq.