Presidenti Donald Trump thotë se Coca-Cola ka rënë dakord të përdorë kallam sheqeri organik në pijet e saj në SHBA.
Coca-Cola përdor shurup misri në produktet e saj amerikane, por Sekretari i Shëndetësisë i Trumpit, Robert F. Kennedy Jr, ka shprehur shqetësim në lidhje me ndikimet shëndetësore të këtij përbërësi.
“Kam folur me Coca-Cola-n në lidhje me përdorimin e kallam sheqerit organik në Coca-Cola në Shtetet e Bashkuara, dhe ata kanë rënë dakord për këtë,” shkroi Trump në rrjetet sociale. “Dua të falënderoj të gjithë ata që janë me autoritet në Coca-Cola.”
Pa e konfirmuar në mënyrë të qartë ndryshimin e recetës, një zëdhënës i Coca-Cola-s tha se ata “e vlerësojnë entuziazmin e Presidentit Trump” dhe “më shumë detaje mbi ofertat e reja inovative brenda gamës sonë të produkteve Coca-Cola do të publikohen së shpejti”.
Trump tha në postimin e të mërkurës në Truth Social: “Ky do të jetë një veprim shumë i mirë nga ana e tyre – Do ta shihni. Është thjesht më e mirë!”.
Derisa Coca-Cola që shitet në SHBA zakonisht ëmbëlsohet me shurup misri, Coca-Cola në vende të tjera, si Meksika, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, ka tendencë të përdorë kallam sheqeri.
Trump pi rregullisht Coca-Cola Diet – e cila përdor ëmbëlsuesin artificial aspartam. Ai ka një buton të instaluar në tavolinën e tij në Zyrën Ovale në mënyrë që t’i shërbehet kjo pije e gazuar.


