Donald Trump është zgjedhur president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me ndikimin që pritet ta ketë Trump si president në dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë për një marrëveshje finale, për Gazeta Blic ka folur ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi.
Sipas tij, pritjet janë të mëdha, derisa kujton se Trump herën e parë si president ishte angazhuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke.
“Pritjet janë se zgjedhja e Trump do të ketë ndikim të madh në dialogun Kosovë-Serbi. Sa ishte President herën e parë ai angazhohej për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke. Tash shumë gjëra kanë ndryshuar dhe është vështirë në këtë fazë të dihet se sa do të jetë e fokusuar në dialog administrata Trump dhe kush do të jetë i ngarkuar me këtë çështje. Pra, varet nga shumëçka”, u shpreh ai.
Arifi vlerëson se vitet e fundit lobistët serbë kanë investuar shumë që të afrohen me Trumpin, ndërsa që Qeveria e Kosovës s’ka bërë asnjë përpjekje për kontakt me të.
“Një dihet që në katër vitet e fundit Serbia me lobistët e saj ka investuar shumë që të afrohen me Trumpin, kurse qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjë përpjekje për kontakt me Trumpin, kurse me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Grenell, LVV ka pasur përplasje dhe fyerje të vazhdueshme sa herë që ka përmendur Kosovën”, deklaroi Avni Arifi./Gazeta Blic/