Lajme

Trump paralajmëron Kievin: Ukraina mund të bëhet ruse një ditë

02/11/2025 18:58
nga:G B

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se kërkon minerale të rralla në vlerë qindra miliarda dollarë nga Ukraina, në këmbim të mbështetjes së Uashingtonit në luftën e saj kundër Rusisë, duke lënë të kuptohet se, nëse nuk e pranon këtë, vendi mund ta humbë sovranitetin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u duk se është i gatshëm ta pranojë kushtin e Trumpit.

Trump, duke folur për Fox News, tha: “Dua që t’i sigurojmë paratë tona, sepse ne po harxhojmë qindra miliarda dollarë… U thashë atyre se dua minerale në vlerë të 500 miliardë dollarëve dhe ata në parim janë pajtuar për këtë”.

“Dhe, e dini, ata mund të bëjnë marrëveshje, mund të mos bëjnë marrëveshje, mund të bëhet ruse një ditë, apo mund të mos bëhet ruse një ditë. Por, ne do t’i kemi të gjitha këto para atje dhe them se do t’i marrim ato para”, shtoi Trump.

Trump tha se këtë javë do të flasë me Zelenskyn, ndërsa i dërguari i tij i posaçëm për Ukrainën dhe Rusinë do të shkojë së shpejti në Ukrainë, dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të takohet me liderë nga e gjithë Evropa gjatë një udhëtimi në Poloni, Belgjikë dhe Francë.

Zelensky u duk i gatshëm ta pranojë kushtin e Trumpit, duke i thënë për gazetën britanike Guardian më 11 shkurt se ai dëshiron që Ukraina të jetë në pozitë të fortë kur të hyjë në bisedime për paqe dhe se kompanitë amerikane mund të jenë në krye të përpjekjeve për rindërtimin e vendit.

“Ata që po na ndihmojnë ta shpëtojmë Ukrainën, do të kenë mundësinë ta rindërtojnë atë, me bizneset e tyre bashkë me bizneset ukrainase. Për të gjitha këto gjëra jemi të gatshëm të flasim në hollësi”, tha ai, duke shtuar se “Ukraina mund të shkëmbejë territore me Rusinë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe Hegseth gjithashtu pritet të jenë në Munih, ndërsa Bloomberg, duke cituar burime, raportoi më 11 shkurt se sekretari i Thesarit, Scott Bessent, do të udhëtojë në Ukrainë këtë javë si pjesë e diskutimeve fillestare për të siguruar qasjen amerikane në mineralet ukrainase.

Trump po shtyn për një përfundim të shpejtë të luftës, ndërsa Zelensky po kërkon garanci të forta sigurie si pjesë e çdo marrëveshjeje me Rusinë.

Ai shtoi se beson se ka pasur përparim drejt përfundimit të luftës, por nuk pranoi të shpjegojë se për çfarë kanë biseduar ai dhe Putini.

Kremlini tha se nuk mund të konfirmojë dhe as të mohojë nëse Putini dhe Trump kanë folur, por më 11 shkurt duket se i shfrytëzoi komentet e Trumpit për atë se çfarë mund të ndodhë nëse Kievi nuk bie dakord për një marrëveshje mbi mineralet e tij, duke thënë se “një pjesë e konsiderueshme e Ukrainës dëshiron të jetë Rusi dhe tashmë është bërë Rusi”.

Shqetësimet se Uashingtoni dhe Moska mund të pajtohen për një marrëveshje për paqe pa përfshirjen e Ukrainës janë të mëdha në Kiev, i cili këmbëngul që të jetë pjesë e negociatave, pa marrë parasysh rrethanat. /REL