Presidenti Donald Trump njoftoi të mërkurën se ka vendosur për të tërhequr Gardën Kombëtare nga Çikago, Los Anxhelosi dhe Portlandi, por paralajmëroi se administrata e tij mund të dërgojë në të ardhmen forca federale “në një formë shumë më të ndryshme dhe më të fortë”.
Ky vendim vjen pasi Gjykata Supreme e SHBA-së hodhi poshtë javën e kaluar kërkesën e Trump për ta lejuar të dërgonte Gardën Kombëtare në Çikago për të mbrojtur agjentët e Shërbimit të Imigracionit (ICE), në kuadër të politikave të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm.
“Po e largojmë Gardën Kombëtare nga Çikago, Los Anxhelosi dhe Portlandi, pavarësisht faktit se krimi është ulur ndjeshëm falë pranisë së këtyre patriotëve të shkëlqyer”, shkroi Trump në platformën Truth Social. Ai shtoi se, sipas tij, këto qytete “do të ishin shkatërruar” pa ndërhyrjen e qeverisë federale.
Trump la të hapur mundësinë e rikthimit të forcave federale, duke paralajmëruar se ato mund të dërgohen sërish “në një formë shumë më të fortë”, nëse, sipas tij, krimi fillon të rritet.
Duke bllokuar vendosjen e Gardës Kombëtare në Çikago, Gjykata Supreme sugjeroi se kompetenca e presidentit për të federalizuar Gardën — e parashikuar në ligj vetëm kur autoritetet federale nuk janë në gjendje të zbatojnë ligjin me forcat e rregullta — nuk zbatohet për mbrojtjen e agjentëve që merren me zbatimin e ligjeve të emigracionit.
Megjithëse vendimi përbën një goditje për politikat e Trump kundër emigracionit të paligjshëm, ekziston ende mundësia që ai të përdorë Aktin e Kryengritjes, një ligj i shekullit të 19-të që i jep presidentit kompetenca të gjera për vendosjen e ushtrisë brenda territorit të SHBA-së. Ky opsion është konsideruar shumë i diskutueshëm.
Ndërkohë, një vendosje e veçantë e Gardës Kombëtare në New Orleans, e autorizuar nga Trump, nisi të martën për të garantuar sigurinë gjatë festimeve të Vitit të Ri, një vit pas një sulmi të rëndë në Rrugën Bourbon. Trump nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga përdorimi i Gardës Kombëtare edhe në Uashington, DC, ku ajo vepron sipas një ligji tjetër federal.
Vendimi për tërheqjen e Gardës u përshëndet nga Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, i cili e akuzoi administratën Trump për përdorim politik të forcave të sigurisë dhe e kritikoi presidentin për sjellje autoritare. “Institucionet tona demokratike po qëndrojnë”, deklaroi Bonta.
Një gjykatës federal kishte urdhëruar më herët kthimin e kontrollit të Gardës Kombëtare të Kalifornisë te guvernatori Gavin Newsom, vendim që u pezullua përkohësisht gjatë procesit të apelimit. Të mërkurën, Gjykata e Apelit për Qarkun e Nëntë konfirmoi urdhrin dhe i kërkoi administratës Trump t’ia kthente kontrollin guvernatorit.
“Është koha që Donald Trump të pranojë humbjen”, shkroi Newsom në rrjetet sociale, duke theksuar se marrja federale e kontrollit të Gardës Kombëtare të Kalifornisë ishte e paligjshme.
Edhe guvernatori i Illinois, JB Pritzker, reagoi ashpër, duke thënë se Trump humbi në gjykatë përpjekjen për të “militarizuar qytetet amerikane” dhe se u detyrua të tërhiqej.


