Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi se Tom Homan, i cili ka shërbyer si drejtor i agjencisë me përgjegjësinë për zbatimin e ligjeve për emigracionin (ICE), do të shërbejë në administratën e tij të re si drejtues në nivel kombëtar për çështjet e emigracionit.
Në njoftimin e bërë në median sociale Truth Social, Presidenti i zgjedhur Trump e konsideron zotin Homan një zyrtar të vendosur për çështjen e kufirit, ndërsa pritet që sipas zotimeve të bëra gjatë fushatës elektorale, do të zhvillohet edhe operacioni më i madh i deportimit të emigrantëve të paligjshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Krahas mbikëqyrjes së kufijve jugorë dhe veriorë si dhe “sigurisë detare dhe të aviacionit”, Presidenti i zgjedhur Trump tha se zoti Homan “do të jetë në krye të të gjithë Deportimeve të të Huajve të Paligjshëm drejt Vendeve të Origjinës”, një pjesë qendrore kjo e axhendës së tij.
Ai tha se nuk ka “asnjë dyshim” se zoti Homan “do të bëjë një punë fantastike, në këtë detyrë të shumëpritur”.
Për një pozicion i tillë nuk do të duhet konfirmimi i Senatit.
Në një intervistë, në emisionin “Sunday Morning Futures” të kanalit televiziv Fox News, zoti Homan tha se ushtria nuk do të marrë pjesë në operacionet për grumbullimin dhe arrestimin e emigrantëve që gjenden ilegalisht në vend dhe se agjencia ICE për zbatimin e ligjeve për emigracionin do të veprojë në “mënyrë njerëzore” për të zbatuar planin e Presidentit të zgjedhur Trump.
“Do të jetë një operacion i mirëpërqëndruar dhe i planifikuar, që do të kryhet nga njerëzit e ICE-it. Burrat dhe gratë e ICE-it e bëjnë këtë çdo ditë. E bëjnë këtë mirë”, tha ai. “Kur të dalim në terren, do ta dimë se për kë po kërkojmë. Do ta dimë me të gjitha gjasat se ku do të ndodhen, dhe do të veprohet në mënyrë njerëzore”.
Më herët gjatë këtij viti, në Konferencën Kombëtare për Konservatorizmin në Uashington, zoti Homan shprehu zhgënjimin me mbulimin në lajme të operacionit për deportimin masiv.
“Prisni deri në 2025-ën”, tha ai, duke shtuar se megjithëse ai mendon që qeveria duhet të merret sipas rëndësisë me rreziqet për sigurinë kombëtare, “askush nuk përjashtohet. Nëse gjendeni këtu ilegalisht, më mirë të ruheni”.
Ai tha gjithashtu se: “Keni fjalën time. Trump-i rikthehet në janar. Do t’i bashkohem rikthimit të tij dhe do të drejtoj operacionin më të madh të deportimeve që ka parë vendi ndonjëherë”. /VOA