Lajme

Trump me pako 12 miliardë dollarëshe për bujqit amerikanë të goditur nga lufta tregtare

12/08/2025 22:51
nga:Genita C

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të hënën zbuloi një pako ndihmash prej 12 miliardë dollarësh për bujqit amerikanë të prekur nga pasojat e luftës tregtare.

Grupet e bujqve dhe ligjvënësit e Partisë Republikane që vijnë nga shtetet amerikane me bujqësi të zhvilluar e kanë kërkuar këtë ndihmë pjesërisht për t’i mbështetur bujqit rreth blerjes së farave, plehut artificial dhe shpenzimeve të tjera për sezonin e ardhshëm të të mbjellave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pakoja e ndihmave, për të cilën Trumpi thotë se do të vijë nga të hyrat prej taksave, synon që të mbështesë një bllok jetik votuesish që kryesisht e ka përkrahur Trumpin pavarësisht se është ballafaquar me miliarda dollarë humbje nga dobësimi i shitjeve shkaku i luftës së tij tregtare me Kinën.

Trumpi e njoftoi pakon e ndihmave në një tryezë të rrumbullakët në Shtëpinë e Bardhë krahas sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, sekretares së Bujqësisë, Brooke Rollins, dhe anëtarëve të Kongresit. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se në tryezë morën pjesë edhe kultivues të misrit, pambukut, orizit, gjedheve, grurit, patateve e kulturave të tjera bujqësore.

“Ky lehtësim do t’ua ofrojë bujqve sigurinë shumë të nevojshme, përderisa i hedhin në treg frytet e këtij viti dhe shikojnë përpara nga të mbjellat e vitit të ardhshëm dhe kjo do t’i ndihmojë ata që t’i vazhdojë përpjekjet për t’i ulur çmimet e ushqimit për familjet amerikane” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Rollins tha se 11 miliardë dollarë të pakos do të ndahen për bujqit që kultivojnë të mbjella në varg dhe do të shpërndahen deri më 28 shkurt. Administrata tani për tani nuk do të lëshojë 1 miliard dollarë të caktuar për kultivuesit e pemëve, perimeve dhe të mbjellave të tjera derisa të finalizohen hollësitë, shtoi sekretarja e Bujqësisë.