Bashkimi i Kanadasë me SHBA-në nën kërcënimin e tarifave tregtare, marrja nën kontroll e Kanalit të Panamasë dhe Greenlandës edhe me forcë nëse është nevoja, janë breshëria e re e kërcënimeve të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump 2 javë përpara se të ulet në Shtëpinë e Bardhë. Këto qëndrime i kanë bërë që të shtrëngohen fqinjtë e SHBA-së, por edhe Bashkimi Europian. Kanadaja dhe Franca kanë reaguar.
Me shumë fuqi që mori nga fitorja në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të cilat edhe u certifikuan nga Kongresi Amerikan, në rrethana shumë më të qeta sesa katër vjet më parë, Donald Trump po e përsërit së fundmi idenë për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të amerikan.
“Nëse Kanadaja do të bashkohej me SHBA-në, nuk do të kishte detyrime doganore, taksat do të uleshin ndjeshëm dhe Kanadaja do të ishte PLOTËSISHT E SIGURTË nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që e rrethojnë vazhdimisht. Së bashku, çfarë kombi i madh do të ishte!!!”, shkroi presidenti i zgjedhur amerikan në “Truth Social” të hënën, më 6 janar.
Kanadaja, ndërkohë është në mes të një krize politike. Vendi që sapo ka parë dorëheqjen e kryeministrit Justin Trudeau, i detyrohet shumë fqinjit të tij të zhurmshëm në jug.
Miliarderi, i cili më 20 janar do të inaugurohet si president i vendit më të fuqishëm në botë, i ka shtuar kërcënimet doganore ndaj Kanadasë, të cilën e ka paralajmëruar se do t’i vendosë tarifë tregtare prej 25% pas kthimit në Zyrën Ovale. Një fatkeqësi për Kanadanë, e cila eksporton në Shtetet e Bashkuara 75% të asaj që prodhon çdo vit.
Trump ka shpërndarë së fundmi edhe një hartë me Kanadanë si pjesë të SHBA-së. Ai pretendon se “shumë njerëzve” në Kanada u pëlqen kjo ide.
“Shtetet e Bashkuara nuk mund të vuajnë më nga deficitet dhe subvencionet masive tregtare që Kanadasë i duhen për të qëndruar në këmbë. Justin Trudeau e dinte këtë dhe dha dorëheqje”, tha Trump, i cili Trudeaut i ishte referuar me titullin degradues “guvernator”, sikur të ishte kreu i një shteti amerikan.
Pas një darke me Trudeau disa javë më parë, Trump shkruante: “Ishte kënaqësi ta prisja për darkë Guvernatorin e Shtetit të Madh të Kanadasë, Justin Trudeau. Mezi pres ta shoh sërish Guvernatorin që t’i diskutojmë tarifat dhe tregtinë. Rezultati do të jetë spektakolar!!!”.
Trudeau, para se të largohej nga pozita e kryeministrit, e ka hedhur poshtë propozimin e shumëdiskutueshëm të Trumpit, duke thënë se “nuk ka asnjë shans” që Kanadaja t’i bashkohet SHBA-së.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly tha se nuk do të tërhiqen “përballë kërcënimeve”.
Ndërkohë, Trump e ka prezantuar së fundmi edhe idenë për t’i marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Greenlandën. Ai madje s’e përjashton as mundësinë e përdorimit të forcës për t’i marrë nën kontroll këto dy vende, duke thënë se kjo është “domosdoshmëri”.
“Nuk mund t’ju siguroj” tha presidenti i zgjedhur amerikan kur u pyet në një konferencë për media për një përdorim të mundshëm të forcave të armatosura për ta aneksuar kanalin, një arterie jetike e transportit detar global dhe Greenlandën, një territor autonom të Danimarkës.
Trump ka deklaruar tashmë në disa raste se dëshiron ta marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë, të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të inauguruar në vitin 1914, nëse nuk ulet çmimi i tarifave për anijet amerikane. Ai ka dalë kundër një marrëveshjeje të bërë më 1977 nga presidenti i atëhershëm Jimmy Carter, e cila rezultoi në transferimin e kontrollit të kanalit në Panama më 1999.
Në lidhje me Greenlandën, Trump e kishte hedhur idenë që para gjashtë vjetësh, kur pati thënë se blerja e saj “do të ishte një transaksion i madh i pasurive të paluajtshme dhe strategjikisht, për Shtetet e Bashkuara, do të ishte mirë”.
“Greenlanda është një vend i jashtëzakonshëm dhe njerëzit do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nëse dhe kur, ajo bëhet pjesë e kombit tonë. Ne do ta mbrojmë atë dhe do ta ruajmë nga një botë e jashtme shumë e keqe”, shkroi ai në “Truth Social” të hënën, ndërsa djali i tij, Donald Trump Jr, mbërriti këtë të martë në ishull për një vizitë private.
Në konferencën e fundit për shtyp, Trump shprehu gjithashtu dëshirën e tij për një luftë ekonomike me Kanadanë. Kështu ai kërcënoi se do ta përdorte “forcën ekonomike” ndaj vendit fqinj verior.
Për t’i bërë që të shtrëngohen edhe ata në jug, Trump njoftoi këtë të martë se pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara do ta ndryshojnë emrin e Gjirit të Meksikës, në bregun jugor të vendit, në “Gjiri i Amerikës”.
“Ne do ta ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës, i cili tingëllon mirë dhe mbulon shumë territor. Gjiri i Amerikës, sa emër i bukur”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Francës tha të mërkurën se Bashkimi Europian nuk do t’i lejojë kombet e tjera të botës, “kushdo qofshin ata” që t’i sulmojnë kufijtë e tij sovran, duke iu përgjigjur komenteve të Trump lidhur me Greenlandën.
Jean-Noel Barrot tha se nuk beson që Shtetet e Bashkuara do të pushtonin ishullin e madh në Arktik, që është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.
“Nëse po më pyesni nëse unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Groenlandën, përgjigja ime është jo. Por, a kemi hyrë në një periudhë kohore kur flitet për mbijetesën e më të fortit? Atëherë përgjigja ime është po”, tha ministri në radion France Inter.
Ai tha se BE-ja s’duhet të lejojë veten të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por duhet të zgjohet dhe të forcohet.
Qëndrime të ashpra të Trump iu ka bashkëngjitur miliarderi i Teslas, Elon Musk.
Prej ditësh, Musk ka pasur një përplasje në distancë edhe me kryeministrin britanik, Keir Starmer. Aleati i Trump drejtoi një sërë akuzash ndaj udhëheqësit britanik, i cili i ka quajtur qëndrimet e Musk të rrezikshme për demokracinë.
Musk e ka kritikuar së fundmi edhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, ndërsa mbështet haptas partinë e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë.