Presidenti amerikan e ka kërcënuar presidentin rus me tarifa të larta dhe sanksione tjera nëse së shpejti nuk i jep fund luftës në Ukrainë. Ndërkohë Trump ka dërguar 1500 trupa ushtarake në kufirin me Meksikën e që ky numër i forcave mund të shkon deri në 10 mijë ndërsa ka emëruar edhe ambasadorin e ri në Bashkimin Evropian.
Presidenti amerikan, Donald Trump i ka thënë presidentit rus Vladimir Putin që t’i jap fund luftës në Ukrainë ose do të përballet me sanksione të reja. Trump ka thënë se do të aplikon tarifa të larta për prodhimet ruse dhe sanksione tjera nëse Putin dështon që ti jap fund luftës në Ukrainë. Presidenti Trump këto komente I ka bërë në rrjetin social Truth Social.
‘Vendosni tani dhe ndalojeni këtë luftë qesharake! Do të bëhet gjithnjë e më vështirë. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, dhe atë së shpejti, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos shkallë të lartë taksash, tarifash dhe sanksionesh mbi çdo gjë Rusia i shet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tjera’, ka shkruar Trump.
Trump ka shkruar gjithashtu se duke e bërë këtë presion mbi presidentin rus, atij po i bën nderë shumë të madh.
Rusia ende nuk ka kthyer përgjigje mbi këto komente të presidentit Trump, megjithatë zyrtarë të lartë rus ditëve të fundit kanë thënë se ekziston një dritare shumë e vogël për Moskën që të bashkëpunojë me administratën e re amerikane.
Të martën gjatë një konference për shtyp, presidenti Trump ka thënë se shumë shpejt do të ketë një bisedë me presidentin Putin.
Sa i përket çështjeve tjera, sipas një memorandum të brendshëm, Trump planifikon që në kufirin me Meksikën mund të dërgojë deri në 10 trupa ushtarake. Sipas një burimi ushtarak, 1500 trupa tashmë janë dërguar në kufi për t’i instaluar apo vendosur barrierat.
Ndërkohë, Fondacioni i miliarderit Michael Bloomberg ka thënë se do t’i kryen obligimet e SHBA-së ndaj organit të OKB-së për ndryshimet klimatike pas thirrjes së presidentit Trump për tërheqjen e vendit nga Marrëveshja e Parisit.
Bloomberg i cili shërben si i dërguar i posaçëm i OKB-së për ndryshimet klimatike ka thënë se ndërhyrja e tij synon të sigurojë që financimi për Konventën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike të mbetet i plotë.
Trump gjithashtu ka emëruar edhe ambasadorin e ri të SHBA-së në Bashkimin Evropian. Ai është Andrew Puzder, avokat, autor librash dhe biznesmen.