Lajme

Trump kërcënon liderët e Iranit: Nëse qëlloni protestuesit, do të godasim fort

01/10/2026 10:47
nga:Sh R

Presidenti amerikan, Donald Trump të premten tha se SHBA po ndjek nga afër situatën në Iran.

Ai paralajmëroi udhëheqësit iranianë që të mos përdorin dhunë ndaj demonstruesve.

“Dhe përsëri, u them liderëve iranianë, më mirë mos filloni të qëlloni, sepse edhe ne do të fillojmë të qëllojmë”, tha lideri amerikan gjatë një takimi me drejtues të industrisë së naftës në Shtëpinë e Bardhë.

Por ai shtoi se kjo nuk do të thotë “trupa amerikane në terren”, raporton cnn.

“Nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të përfshihemi. Kjo nuk do të thotë trupa në terren, por do të thotë goditje shumë, shumë të forta aty ku i dhemb”, tha 79-vjeçari.

Duke komentuar protestat, ai tha se “Irani ka probleme të mëdha”.

“Më duket se njerëzit po marrin kontrollin e disa qyteteve që askush nuk mendonte se ishin të mundshme vetëm disa javë më parë”, tha presidenti.

Trump nuk specifikoi për cilat qytete po fliste. Nuk është e qartë nëse protestuesit kanë marrë kontrollin e ndonjë qyteti iranian.