Lajme

Trump i thotë Evropës: Pa SHBA-në, do të flisnit vetëm gjermanisht dhe japonisht

01/21/2026 20:22
nga:Genita C

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se Evropa do të fliste gjermanisht dhe japonisht sot nëse Uashingtoni nuk do t’i kishte udhëhequr forcat aleate drejt fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Ai përdori argumentin historik për të justifikuar përpjekjen e tij për të marrë kontrollin mbi Grenlandën.

“Pas luftës – të cilën e fituam, e fituam me forcë – pa ne, tani për tani, të gjithë do të flisnit gjermanisht dhe ndoshta pak japonisht”, tha Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Presidenti i SHBA-së mbrojti kërkesat e tij për Grenlandën duke vënë në dukje humbjen e shpejtë të Danimarkës gjatë luftës, duke pretenduar se Kopenhageni ra në duart e Gjermanisë “pas vetëm gjashtë orësh luftimesh dhe ishte plotësisht e paaftë të mbronte veten ose Grenlandën”.

Trump bën deklaratën më të qartë deri më tani – përjashton përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën

Trump tha se Uashingtoni ishte “i detyruar” të dërgonte forca për të mbajtur Grenlandën “me kosto dhe shpenzime të mëdha”, duke krijuar baza për të mbrojtur territorin për Danimarkën.

“Ne vendosëm baza në Grenlandë për Danimarkën. Ne luftuam për Danimarkën”, tha ai, duke shtuar se SHBA-të vepruan gjithashtu për të parandaluar “armiqtë” të fitonin një pikëmbështetje në Hemisferën Perëndimore.

Kujtojmë se Grenlanda ka tërhequr interesin e Trump për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Arktik, burimeve të mëdha minerale dhe shqetësimeve të supozuara për rritjen e aktivitetit rus dhe kinez.
Danimarka dhe Grenlanda – si dhe disa shtete të tjera – kanë hedhur poshtë propozimet për transferimin e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez.