Lajme

Trump: Do të vendos trafia të reja për Meksikën, Kanadën dhe Kinën, ditën e parë të mandatit

11/26/2024 12:34
nga:G B

Donald Trump ka kërcënuar me tarifa të reja dhe të mëdha për Meksikën, Kanadën dhe Kinën të cilat pret t’i zbatojë nga dita e tij e parë në detyrë.

Presidenti i zgjedhur, i cili do të marrë postin më 20 janar të vitit të ardhshëm, deklaroi se do të prezantojë një taksë prej 25% për të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja dhe Meksika.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trumpi gjithashtu kërcënoi me një tarifë shtesë prej 10% për produktet nga Kina, përveç çdo takse tjetër që mund të vendosë si një nga urdhërat e tij të parë ekzekutiv.

Nëse këto tarifa implementohen, ato mund të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë për shumë produkte, nga karburantet dhe makinat deri tek produktet bujqësore.

Shtetet e Bashkuara janë importuesi më i madh i mallrave në botë, dhe Meksika, Kina dhe Kanada janë tre furnizuesit kryesorë, sipas të dhënave të regjistrit të popullsisë të vendit.

Më shumë se 83% e eksporteve nga Meksika shkuan në ShBA në vitin 2023, ndërsa 75% e eksporteve nga Kanadaja janë drejtuar për në këtë vend.