Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin që të pranojë një marrëveshje pa armë bërthamore, ndërsa njoftoi se ka nisur një flotë anijesh ushtarake drejt këtij vendi.
Trump tha se kjo flotë është e gatshme të përmbushë misionin e saj – sikurse në Venezuelë – dhe se do të përdoret edhe dhunë nëse është e nevojshme.
“Një armadë masive po shkon drejt Iranit. Ajo po lëviz shpejt, me fuqi të madhe, entuziazëm dhe qëllim të qartë. Është një flotë më e madhe, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja e madhe Abraham Lincoln, sesa ajo që u dërgua në Venezuelë. Ashtu si me Venezuelën, ajo është e gatshme, e vendosur dhe e aftë të përmbushë shpejt misionin e saj, me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme”, ka shkruar ai në Truth Social.
Trump ka kërcënuar me ndërhyrje që kur shpërthyen protestat në vend muajin e kaluar.
“Shpresojmë që Irani të “ulet shpejt në tryezë” dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – PA ARMË BËRTHAMORE – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, kjo është vërtet urgjente! Ashtu siç i thashë Iranit edhe më parë, BËNI NJË MARRËVESHJE! Ata nuk e bënë dhe pati “Operacionin Midnight Hammer”, një shkatërrim i madh i Iranit. Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq! Mos e lejoni që kjo të ndodhë përsëri. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”.
Këtë postim të Trump e shpërndau edhe Shtëpia e Bardhë.


