Lajme

Trondit punonjësa shëndetësore: Në QKUK personeli mjekësor po detyrohet të merr përsipër rolin e Zotit dhe të vendos se kush duhet të jetojë e kush të vdesë

07/29/2022 22:53
nga:Astrit Gashi

Një punonjëse shëndetësore në Kosovë, gjegjësisht Merita Brovina, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shokuar miqtë e ndjekësit, duke theksuar se në QKUK personeli mjekësor po detyrohet “të merr përsipër rolin e Zotit dhe të vendos dhe të zgjedh se kush duhet të jetojë e kush të vdesë”.

Madje, ajo u ka bërë edhe ftesë publike Kryeministrit e ministrit të Shëndetësisë.

Përveç kësaj, ajo dha edhe detaje për këtë, duke shtuar se për një medikament siç është “Pembrolizumab”, i destinuar për të sëmurët me kancer, ka mungesë të madhe.

Sipas Brovinës, sot është dashur të arrijnë afro 80 ampulla të medikamentit në fjalë, por kanë arritur vetëm dhjetë sosh.

“Në kushte lufte apo emergjence të natyrave ekstreme mjekësore personeli mjekësor eshtë i detyruar të bëj punën e Zotit, të selektojë kush mund të jetojë e kush jo. Personeli mjekësor këtë formë të triazhimit e veprimit legjitim e mëson në lëndën Kirurgji Luftarake! I dashur Kryeministër dhe i nderuar Ministër i Shëndetësisë.Ju informoj që ne sot në klinikën e Onkologjisê nuk patëm fatin të jemi të përzgjedhur në mesin e atyre që kanë të drejtë të vazhdojnë të jetojnë.Kush dhe si e bêri përzgjedhjën që në kushte normale i takon vetëm Zotit, besoj që duhet të angazhoheni që ta kuptoni e zbërtheni!Pembrolizumab është një prej barnave mjekuese për të sëmurët me kancer i cili nuk mund të blehet në treg vendor e askund në rajon.Nga 80 ampulla sa duhet të furnizohet klinika e Onkologjisë sa i kanë të planifikuara dhe të kontraktuara sot pas një jave vonesë, klinikës i kanë ardhur vetëm dhjetë”, ka shkruar Brovina.

Brovina vazhdoi se 70 pacient të tjerë s’e patin fatin të furnizohen me Pembrolizumab.

“Në mesin e atyre 80 pacientëve që presin ta marrin ilaçin janë përzgjedhur dhjetë të cilët në tentativat më të vrazhda për mbijetesë e kanë kuptuar me rrugë joformale që ilaçi vjen sot andaj kanë zënë dyert e klinikës para se ilaçi të zbarkojë në klinikë. Ne të 70- tët që e kuptuam me vonesë e vrapuam të marrim ilaçin nuk ishim me fat. 10 dhe 70 bëjnë 80 por nuk janë numra, janë jetë, njerëzish të këtij vendi që frymojnë, që sot dikush në këtë institucion të quajtur QKUK ka bërë punën e Zotit duke i selektuar: ti mund të vazhdosh të jetosh e ti jo!Probabiliteti për të pasur shansën për të jetur pak më gjatë sot ishte 1:8. Ne nuk e patëm atë fat e bashkë me ne edhe 70 frymëmarrje tjera!”, përfundoi ajo.