Nënkryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka përkujtuar 3 vjetorin e aprovimit të Deklaratës Politike nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës i përbërë nga përfaqësuesit politikë e institucional të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kjo deklaratë, synonte që të përfshinte faktorin shqiptar të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi.
Mustafa që mban edhe pozitën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Luginës, ka thënë se pa zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Sot bëhet tre vite nga kur është aprovuar Deklarata Politike nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës i përbërë nga përfaqësuesit politikë e institucional të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Kuvendi konstatoj se “pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, shkroi Mustafa në një status në Facebook.
Mustafa thotë se kjo deklaratë e përbashkët ka nxitur diskutim në faktorin ndërkombëtar dhe gjithashtu e bëri të pakthyeshëm çështjen e shqiptarëve të Luginës në dialog.
“Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkoi; “nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të parashtruara me dokumentet përkatëse në këtë Deklaratë”. Ky akt politik, përveç që nxiti një diskutim mirëfilli në rajon dhe komunitetin ndërkombëtar, gjithashtu, e bëri fakt të pakthyeshëm Luginën e Preshevës në dialogun Kosovë – Serbi”, shtoi ai.
Tutje ai tha se ky rajon mbeti më i diskriminuari dhe më i pazhvilluari.“Lugina e Preshevës nuk guxon të mbetet rajoni më i diskriminuar dhe ekonomikisht më i pazhvilluar, si pasojë e politikës diskriminuese shtetërore të Serbisë”, shtoi ai.