Donjeta Dragusha, kandidate e LDK-së për deputete në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Aktualisht ajo është kryetare e Degës së I-rë të LDK-së në Prishtinë dhe po ashtu drejtoreshë e zhvillimit rural në Komunën e Prishtinës.
Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, ka treguar tri prioritetet që do t’i ketë nëse merr besimin e qytetarëve për t’u bërë përfaqësuese e tyre.
“Nëse unë arrij të marr besimin e qytetarëve që të jem në Kuvend, përveç që do të jem zë i të gjitha kërkesat dhe adresë për kërkesat dhe hallet e qytetarëve, unë angazhimin tim do ta orientoj në tri fusha kyçe. Do të angazhohem për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm siç e kemi të paraparë edhe në program tonë të LDK-së, ku këtë synojmë ta bëjmë përmes 5 për qind rritje ekonomike, 5 miliardë euro buxhet dhe 5 miliardë euro investime kapitale për 4 vjet. Zhvillimi ekonomik mendoj se është pika kyçe për ngritje të mirëqenies së qytetarëve. Një tjetër fakt që më ka brengosur është që kemi 68 për qind të grave jashtë tregut të punës. Do të angazhohem në fuqizimin e rolit të grave, qoftë duke përkrahur dhe avokuar për çdo iniciativë që të hyjnë në tregun e punës dhe të jenë më të mira. Gjithashtu, nga përvoja ime në drejtorinë e zhvillimit rural më ka shtyrë shumë të mendoj në zhvillimin dhe avokimin e zhvillimit rural dhe në fokus të veçantë do ta kem në përmirësimin e kushteve të zonave rurale”, ka thënë ajo.
Dragusha ka folur dhe për sondazhet e publikuara së fundi, ku VV doli e para me 47 për qind, ndërsa LDK nën 20 për qind, derisa këtë e sheh si propagandë të partisë në pushtet.
“Sondazhet shpesh janë treguar të pasakta dhe më duket një sondazh i pabesueshëm për faktin se me asnjë projekt të realizuar nga kjo qeveri, me skandale të njëpasnjëshme, nuk e di se si mund të pretendohet për një rezultat të tillë, andaj kjo s’ka si të shihet ndryshe pos si një propagandë të pushtetit aktual”, është shprehur kandidatja për deputete.
Ajo shprehet e bindur se LDK do të dalë fituese në zgjedhje, pasi ka listën më të mirë.
“LDK në këto zgjedhje po hyn si partia më e përgatitur. Ka 4 vite që LDK është në teren dhe takime me qytetarët. Është e vetmja parti që po hyn me një program të mirëfilltë dhe një program të realizueshëm, konkret, i cili është finalizuar dhe i publikuar tash e një kohë. LDK ka një listë shumë të mirë, me profesionistë të fushave të ndryshme. Kështu që, marrë parasysh këtë elemente dhe shumë tjera, mendoj që qytetarët do t’i vlerësojnë dhe listën e LDK-së do ta bëjnë listë fituese”, ka deklaruar Donjeta Dragusha./Gazeta Blic/