Kanë kaluar gjashtë ditë nga konfirmimi se vajza e zhdukur Danka Iliq (2 vjeç) është vrarë në Serbi, por trupi i saj ende nuk është gjetur.
Ajo ishte raportuar e zhdukur nga 26 marsi.
Të dyshuarit Dejan Dragijeviq dhe Srdan Jankoviq kanë pranuar se e kanë goditur me veturë dyvjeçaren pasi është larguar nga oborri ku ka qenë me nënën dhe vëllain e saj.
Të dyshuarit më pas e futën dyvjeçaren në veturë dhe fillimisht e hodhën trupin në një depo mbeturinash, e më pas e zhvendosën.
Por pavarësisht se e pranuan krimin, nuk kanë treguar se ku e kanë fshehur trupin.
Blici i Serbisë ka dhënë tre arsye pse trupi i vajzës nuk është gjetur ende.
Vdekja e një të dyshuari
Vëllai i vrasësit të dyshuar, Dalibor Dragijeviq, dyshohej se kishte ndihmuar Dejanin në lëvizjen e trupit të Dankas. Dalibor vdiq para se të zbulonte se ku e kishin lëvizur trupin.
“Kemi mbetur pa një dëshmitar kyç, por kemi mjaftueshëm prova materiale”, ka thënë shefja e policisë, Bojana Otoviq Pjanoviq.
Heshtja për shkak të natyrës së krimit
Ekziston mundësia që natyra e këtij krimi është shumë e rëndë, ndaj të dyshuarit mendojnë se gjetja e trupit do ta vështirësonte edhe më shumë situatën e tyre.
Të dyshuarit duan të shmangin burgun
Të dyshuarit shpresojnë se do të mund të shpëtojnë veten nga burgimi i përjetshëm nëse trupi nuk gjendet. Por kështu nuk thotë avokati Predrag Saviq.
Nëse trupi i Dankas nuk gjendet, të dyshuarit mund të ndiqen penalisht për vrasje të rëndë në bazë të dëshmive të mbledhura deri më tani, si rrëfimi i tyre, gjaku në veturë dhe asfalt e të ngjashme.