Skuadra mitrovicase, Trepça 89′ ka fituar dje derbin ndaj Trepçës dhe ka siguruar promovimin në elitën e futbollit kosovar.
Trepça 89′ ka mposhtur Trepçën me rezultatin 2:0, falë golave të Pllanës dhe Morinës.
Me këtë fitore, Trepça 89′ e ka siguruar edhe matematikisht titullin në Ligën e Parë A dhe njëkohësisht edhe rikthimin në Superligë.
Trepça 89′ ka grumbulluar 50 pikë në 23 xhiro dhe në sezonin e ardhshëm 2022/23 do të luajë në Superligën e Kosovës.
Presidenti i kësaj skuadre, Abedin Zeka, tha për ‘GazetaBlic Sport’ se e ka pritur rikthimin në Superligë dhe se është shumë i lumtur për këtë arritje.
“E kam pritur rikthimin në Superligë, nuk e meritonim largimin. Megjithatë, ka qenë një eksperiencë njëvjeçare në Ligën e Parë. Urime stafit teknik dhe lojtarëve për arritjen. Jam shumë i kënaqur me qëllimin e arritur, Trepça ’89 e meriton të jetë në Superligë“, tha fillimisht Zeka.
Më pas ai foli edhe për planin që ka për edicionin tjetër, atje ku Zeka tha se nuk do të ketë investime të mëdha, por që klubi do të bazohet tek futbollistët e dalur nga akademia.
“Nuk do të ketë investime të mëdha. Nuk e kemi fondin si disa skuadra të tjera që po deklarohen. Jemi me fat që juniorët tanë janë shumë të talentuar. Duhet të shohim se në cilët lojtarë të rinj mund të llogarisim për edicionin e ardhshëm. Ne kemi një politikë klubi ku mundohemi të ecim përpara me lojtarë të tillë, besoj se do të jenë 4 ose 5 prej tyre që do t’i bashkohen ekipit. Ne do të kemi maksimum 3 lojtarë të transferuar nga jashtë, kemi besim te skuadra dhe shtabi teknik që aktualisht kemi“, përfundoi Zeka për ‘GazetaBlic Sport
/GazetaBlic Sport/


