Lajme

‘Treni shënjestër i sulmeve të shpeshta’, zëdhënësi i Trainkos: Nuk do të biem pre e këtyre shantazheve!

11/08/2024 09:35
nga:N K

Treni, transport publik në vendin tonë, i cili transporton mijëra qytetarë çdo ditë, kohët e fundit ka filluar të bëhet objekt i sulmeve të shpeshta.

Gurët të cilët shëndrrohen në armë të papritura, janë kthyer në kërcënim për udhëtarët dhe për këtë mjet transporti.

Vetëm në muajin tetor, në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë, kanë ndodhur dy incidente të ngjashme.

Në njërën ata zbarkuan gurë në hekurudhë.

Shih pamjet:

Edhe më alarmante është fakti se në po të njejtin muaj, e po në të njejtën linjë, një grup të rinjsh sulmuan trenin.

Në të dy rastet, përgjegjësit e këtyre dy sulmeve mbesin të paidentifikuar.

Pas një periudhe të shkurtër, përsëri treni ishte në shënjestër, më konkretisht, rreth orës 16:45 (03.11.2024), disa persona të panjohur, gjuajtën në drejtim të trenit, që si pasojë mbeti i thyer xhami i këtij treni, i cili po lëvizte sikurse dy incidentet e lart-përmendura.

Zëdhënësi i ndërmarrjen hekurudhore, Behxhet Haziri në një prononcim dhënë për GazetaBlic, këto incidente të shpeshta i vlerëson shantazhime, dhe se të njejtit nuk do të bien pre e tyre.

“Pavarsisht këtyre tentimeve në disa personave të pa ndërgjegjshëm, ne jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe do të vazhdojmë me reforma në brendësi të ndërmarrjes. Nuk do të biem pre e këtyre shantazheve”, tha Haziri.

Haziri thekson se këto ‘sulme’ po e cenojnë më së shumti sigurinë kombëtare dhe interesin publik, në këtë rast qytetarët të cilët përdorin këtë transport si mjet udhëtimi.

“Është e rëndësishme të theksojmë se këto veprime nuk cenojnë vetëm Trainkos-in, por rrezikojnë gjithashtu sigurinë kombëtare dhe interesin publik”, tha ai.

Zëdhënësi i ‘Trainkos’, bëri të ditur se vazhdimisht po ballafaqohen me incidente të rrezikshme, që sipas tij po kanë qëllim dëmtimin e imazhit të kësaj ndërmarrje publike.

“Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. po ballafaqohet vazhdimisht me aktivitete të rrezikshme që kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin, sigurinë e udhëtarëve dhe integritetin e shërbimeve tona. Një incident i fundit ndodhi më 26.10.2024 në segmentin hekurudhor Prishtinë-Pejë, ku një grup të rinjsh gjuajtën me gurë trenin 761. Ky akt i dhunshëm është një dëshmi e qartë se ne, si ndërmarrje dhe si qytetarë që përdorim këtë transport, jemi në rrezik. Po ashtu edhe javen e kaluar prap disa persona kane gjuajtur trenin me gurë”, potencoi Haziri për “Gazeta Blic”.

Pas tërë këtyre rasteve të rrezikshme, a është ulur interesimi i qytetarëve për të marrë rrugë me tren?

Haziri përgjigjet se edhe pse ka patur sulme nuk ka ndonjë pasagjer të lënduar, dhe se interesi i tyre nuk u zvogëlua.

“Qytetarët vazhdojnë të udhëtojnë me ne ndërkohë nuk kemi ndonjë qytetarë të lënduar si pasojë e gjuajtjes me gurë”, ishte përgjigja e tij.

Ndër të tjera, me këto incidente të një pasnjëshme, organit e rendit janë të njoftuara dhe po merren me këtë çështje.

/GazetaBlic/