Sporti

“Treguam se jemi të fortë në mbrojtje”, Xavi: Luajtën lojtarë me pak minuta në këmbë

04/02/2023 08:25
nga:E K

Barcelona është gjithnjë e më pranë titullit në LaLiga teksa pas triumfit të së shtunës në transfertë ndaj Elches me rezultatin 0-4, diferenca me Real Madridin ndjekës për momentin është 15 pikë. Pas ndeshjes, trajneri Xavi Hernandez ishte mjaft i lumtur me performancën e të tijve duke mbetur i kënaqur edhe me lojtarët si Ferran Torres apo Ansu Fati të cilët në këtë sezon kanë marrë pak minuta.

“Ishte një mbrëmje shumë e mirë për Barçën, luajtëm në mënyrën e duhur nga fillimi deri në fund. Këtë herë në fushë zbriti një skuadër me disa lojtarë të cilët nuk kanë pasur mjaftueshëm minuta përgjatë sezonit dhe jam i lumtur sepse zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Më bëhet qejfi sepse një skuadër që lufton për të mirën e përbashkët.

Tani jemi pranë objektivit, aktualisht jemi me 15 pikë avantazh. Jam i lumtur edhe për arsyen se pësuam shumë pak goditje gjatë ndeshjes, por edhe përgjatë sezonit e kemi treguar se jemi të fortë në mbrojtje. Pavarësisht se kush luan në fushë, ia dalim të paraqitemi mirë”, u shpreh Xavi. Ndeshja e radhës për katalanasit është ajo e datës 10 prill në Camp Nou ndaj Gironës.