Lajme

Tre të lënduarit nga përleshja e mbrëmshme në “Rrugën B” po trajtohen në QKUK

04/25/2024 08:52
nga:Y I

Tre persona janë lënduar mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë te “Rruga B”, pas një përleshjeje mes disa personave.

Sipas Policisë rasti ka ndodhur rreth orës 23:00, ku dy prej të lënduarve janë therur me thikë, e një tjetër nga mjetet e përdorura në përleshje.

Të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor në QKUK, e për rastin janë arrestuar tre të tjerë.

Lajmin e ka konfirmuar mbrëmë Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Ai ka treguar se të plagosurit që kanë marrë plagë janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Rreth orës 23:00, është raportuar se mbrapa rrugës “B” në Prishtinë ka ndodhur një përleshje në mes të disa personave ku dyshohet të jetë shkrepur dhe arma e zjarrit. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë lëndime nga arma e ftohët (thika), përderisa një tjetër nga mjete që janë përdorur gjatë përleshjes”.

“Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, të cilat kanë rezultuar me identifikimin, lokalizimin si dhe kapjen e menjëhershme të tre personave të cilët poashtu dyshohet të jenë të involvuar në rastin në fjalë. Aktualisht po vazhdon puna policore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci.